Nga Redaksia – Qeveria e “Rilindjes” vijon të servirë për publikun të njëjtën skemë propagandistike me të ashtuquajturin “Bordi i Transparencës”, një strukturë që në vend të mbrojë qytetarët nga abuzimi me çmimet, po kthehet gjithnjë e më shumë në një mekanizëm formal pa ndikim real në treg.
Së fundmi, Bordi i Transparencës ka publikuar çmimet e reja të karburanteve, duke njoftuar një ulje të lehtë të çmimit të naftës në 220 lekë/litri. Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil të standardit SSH EN 590 do të jetë jo më shumë se 220 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë jo më shumë se 208 lekë për litër.
Ndërkohë, për benzinën, çmimi i shitjes me pakicë është caktuar në jo më shumë se 181 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë në jo më shumë se 169 lekë për litër.
Vendimi ka hyrë në fuqi sot, më 8 prill, në orën 15:30, dhe do të mbetet i vlefshëm deri në mbledhjen e radhës së Bordit, ku pritet të pasqyrohen ndryshimet e tjera të çmimeve.
Më poshtë mund të lexoni:
Por përtej shifrave, realiteti që përjetojnë qytetarët shqiptarë është krejt tjetër. Edhe pse në bursat ndërkombëtare çmimet e naftës kanë pësuar luhatje të ndjeshme, shpesh në rënie, në Shqipëri këto reflektime vijnë me vonesë dhe në mënyrë të pjesshme. Diferenca mes çmimeve reale të tregut global dhe atyre që paguajnë qytetarët mbetet e lartë, duke ngritur dyshime serioze mbi funksionimin dhe qëllimin e këtij bordi.
Kjo situatë ka bërë që shumë ekspertë dhe qytetarë ta konsiderojnë “Bordin e Transparencës” si një fasadë, që më shumë justifikon çmimet e larta sesa i kontrollon ato. Në vend që të garantojë konkurrencë dhe ulje reale të kostove, ai duket se po legalizon një treg të mbyllur, ku qytetari është gjithmonë pala humbëse.
Në fund, pyetja që shtrohet është e thjeshtë: a kemi të bëjmë me një instrument real mbrojtjeje për konsumatorin, apo me një tjetër mekanizëm që i shërben propagandës së radhës së qeverisë? Për aq kohë sa çmimet në Shqipëri mbeten ndër më të lartat në rajon, përgjigjja duket gjithnjë e më e qartë.
