Nga Redaksia – Tensionet ndërkombëtare po arrijnë një pikë kritike, pasi përplasja mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranit po merr përmasa gjithnjë e më të rrezikshme, me në qendër kontrollin e Ngushticës së Hormuzit – një nga arteriet më jetike të tregtisë globale të naftës.
Pas ultimatumit të ashpër të dhënë nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi masa ekstreme nëse kjo ngushticë nuk rihapet, ka ardhur reagimi i fortë nga pala iraniane.
Më poshtë mund të lexoni:
Një zyrtar i lartë iranian, Seyyed Mehdi Tabatabaei, deklaroi se Teherani nuk do të bëjë asnjë hap pas pa u kompensuar më parë për dëmet e luftës. Sipas tij, rihapja e Ngushticës së Hormuzit do të ndodhë vetëm në kuadër të një “regjimi të ri ligjor”, i cili parashikon vendosjen e tarifave tranziti për kalimin e anijeve ndërkombëtare.
Ky qëndrim përbën një sfidë të hapur ndaj presionit amerikan dhe sinjalizon se Irani po kërkon jo vetëm njohje të dëmeve të shkaktuara, por edhe një riformatim të rregullave të lojës në një nga pikat më strategjike të globit.
Më poshtë mund të lexoni:
Në reagimin e tij publik, Tabatabaei nuk kurseu as gjuhën ndaj presidentit amerikan, duke e akuzuar atë për deklarata të nxitura nga “dëshpërimi dhe zemërimi”. Kjo vjen pasi Donald Trump kërcënoi më herët gjatë ditës me sulme ndaj infrastrukturës civile iraniane, duke e çuar retorikën në një nivel alarmant.
Përplasja aktuale rrezikon të ketë pasoja të mëdha globale, jo vetëm në aspektin ushtarak, por edhe ekonomik. Mbyllja apo kontrolli i Ngushticës së Hormuzit prek drejtpërdrejt furnizimin me energji të botës, duke rritur rrezikun e një krize të re energjetike dhe destabilizimi të tregjeve ndërkombëtare.
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar mbetet në pritje të zhvillimeve të mëtejshme, teksa çdo hap i gabuar mund të ndezë një konflikt të përmasave të paparashikueshme në Lindjen e Mesme.
