Nga Redaksia:
Partia Demokratike ndodhet sot përballë një krize të thellë besimi me bazën e saj. Demokratët e ndershëm, ata që prej vitit 2013 kanë qëndruar në opozitë me sakrifica dhe përballje të vazhdueshme me pushtetin e Rilindjes, po shtrojnë një pyetje të drejtë:
Si mund të vazhdojë Sali Berisha me Oerd Bylykbashi në krye të Reformës Zgjedhore?
Një reformë që nga 2013 i dha vetëm fitore Rilindjes
Që prej vitit 2013 e deri më sot, çdo reformë zgjedhore ku PD ka qenë pjesë, rezultati ka qenë i njëjtë: fitorja e radhës për Edi Rama dhe Rilindjen.
Oerd Bylykbashi vijon të jetë bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Një figurë që për shumë demokratë simbolizon kompromiset e pafundme që prodhuan humbje pas humbjeje. Në vend që të ketë reflektim dhe përgjegjësi politike, kemi vazhdimësi të të njëjtëve emra.

Demokratët kujtojnë gjithashtu pranimin e makinerive të votimit elektronik të Sorosit – një proces që u votua bashkë me mazhorancën, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi transparencën dhe ndikimet e jashtme në sistemin zgjedhor shqiptar.
Së fundmi, Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, zhvilloi një takim me dy bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore: Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashin.
Në këtë takim u diskutua ecuria e reformës zgjedhore dhe hapat e ardhshëm. Gonzato theksoi se proceset zgjedhore të besueshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare janë prioritet për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Ai nënvizoi rëndësinë e:
- Transparencës në financimin e partive politike
- Pavarësisë së administratës zgjedhore
- Parandalimit të keqpërdorimit të burimeve shtetërore
- Zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR
Por pyetja që shtrojnë demokratët është e thjeshtë:
Nëse Berisha nuk pranon zgjedhjet me Ramën, pse vazhdojnë takimet dhe bashkëpunimet në këtë format?
Opozita drejt një grope politike?
Nëse një figurë që prej më shumë se një dekade ka qenë pjesë e çdo kompromisi zgjedhor që përfundoi me humbje për opozitën vazhdon të jetë në krye të reformës, atëherë përgjegjësia politike nuk mund të shmanget.
Sali Berisha duhet të japë një sinjal të qartë.
Nëse synon të rikthejë besimin e demokratëve dhe të fitojë përballë një sistemi që ai vetë e ka denoncuar si të kapur, atëherë duhet të nisë nga pastrimi i shtëpisë së vet politike.
Ndryshe, çdo deklaratë për zgjedhje të manipuluara do të tingëllojë e pabesueshme kur përfaqësuesit e opozitës vazhdojnë të ulen në tryezë dhe të firmosin marrëveshje me të njëjtët aktorë.
Demokratët e ndershëm nuk kërkojnë fjalë.
Kërkojnë përgjegjësi.
A do ta largojë Berisha urgjentisht Oerd Bylykbashin?
Apo do të vazhdojë historia e humbjeve të garantuara?
