Nga Redaksia:
Portugalia po përballet me një seri stuhish të paprecedentë që kanë marrë jetën e të paktën 16 personave dhe kanë lënë mijëra banorë pa energji elektrike. Për shkak të reshjeve të mëdha dhe përmbytjeve, mbi 3,000 persona u evakuuan nga zona e Coimbrës, ndërsa një pjesë e autostradës kryesore, A1, u shemb pas prishjes së një digë mbi lumin Mondego.
Shkencëtarët e quajnë këtë periudhë si “serinë më të gjatë të stuhive brenda kujtesës së gjallë”, ndërsa dëmet materiale janë llogaritur rreth 775 milionë euro. Qindra të tjerë janë zhvendosur në pjesë të tjera të vendit, ndërsa mungesa e energjisë ka prekur mbi 33,000 persona.

Ministrja e Brendshme, Maria Lúcia Amaral, dha dorëheqjen pas kritikave të shumta mbi menaxhimin e emergjencës, duke pranuar se nuk kishte kushtet personale dhe politike për të përballuar situatën.
Shkencëtarët dhe ekspertët e klimës kritikojnë mungesën e përgatitjes së Portugalisë për motin ekstrem, duke theksuar se vendi nuk ka bërë përshtatje serioze ndaj ndryshimeve klimatike që po godasin Gadishullin Iberik vitet e fundit.
Pedro Matos Soares, fizikant i atmosferës, thekson: “Ne nuk jemi të përgatitur për klimën e sotme, e jo më për të ardhmen. Planifikimi i tokës në Portugali ende bazohet në klimën e shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX. Nëse nuk e kuptojmë klimën e tanishme dhe atë që do të vijë, problemi do të rritet.”

Ndërkohë, Nuno Martins, profesor arkitekture dhe adaptimi ndaj klimës, shprehet se shumë viktima kanë humbur jetën duke u përpjekur të riparojnë çatitë e shtëpive të tyre me material të dhuruar, ndërsa qindra të tjerë janë plagosur. Organizata e tij, Building 4Humanity, ka ndihmuar në qendrat e emergjencës duke shpërndarë manuale se si të riparohen çatitë në mënyrë të sigurt, së bashku me materialet e dhuruara.

Agjencia e mbrojtjes civile ka filluar tashmë shpërndarjen e manualeve së bashku me materialet e nevojshme, duke tentuar të ulet numri i aksidenteve dhe të ruhet jeta e banorëve.
Portugalia po mëson me dhimbje se stuhitë e kohës moderne nuk mund të përballohen me strategji të shekullit të kaluar. /THEGUARDIAN
