Dosja Epstein: Mossadi, nafta e Golanit dhe “qeveria në hije” që kontrollonte energjinë botërore …

Publikimi i mbi 3 milionë dokumenteve të reja më 30 janar ka rihapur fuqishëm dosjen e Jeffrey Epstein, duke e zhvendosur vëmendjen nga krimet individuale drejt një rrjeti të gjerë ndikimi strategjik, që shtrihet nga energjia, teknologjia dhe inteligjenca, deri te politika globale.

Sipas të dhënave të përmbledhura nga agjencia turke AA, dokumentet e reja hedhin dritë mbi lidhje të dyshuara të Epstein me Mossadin, ndikim në rezervat e gazit natyror të Izraelit, kërkime për naftë në Lartësitë e pushtuara të Golanit, projekte me dronë diellorë, si dhe ndërhyrje në mekanizmat drejtues të gjigantëve energjetikë si BP dhe Glencore.

Epstein, Izraeli dhe energjia: Gazi, Golani dhe “qeveria në hije”

Një nga zbulimet më tronditëse lidhet me kompaninë Genie Energy, ku shfaqen emra të rëndë të establishmentit amerikan dhe izraelit. Në këshillin këshillimor të saj figurojnë:

  • ish-zv/presidenti amerikan Dick Cheney
  • manjati mediatik Rupert Murdoch
  • ish-ministri i Thesarit Larry Summers
  • ish-drejtori i CIA-s James Woolsey
  • ish-ministri i Energjisë dhe guvernatori i New Mexico-s Bill Richardson (emër që figuron edhe në fluturimet e Epstein)

Ky grup përshkruhet në dokumente si një “qeveri në hije”.

Veçanërisht problematike është fakti se kompania bijë e Genie Energy, Afek Oil & Gas, është e vetmja kompani me licencë për kërkime nafte në Lartësitë e Golanit, territor sirian i pushtuar nga Izraeli. Licenca u dha në mes të luftës në Siri dhe vlera e kompanisë u rrit ndjeshëm pas vitit 2019, kur SHBA njohu zyrtarisht sovranitetin izraelit mbi Golanin.

Takime me Netanyahun dhe ndërhyrje në ligje kyçe

Dokumentet tregojnë se më 23 mars 2011, në periudhën kur Parlamenti izraelit po votonte Ligjin Sheshinski për rritjen e taksave mbi eksportin e gazit, ishte koordinuar një takim mes Epstein, CEO-s së Barclays Jes Staley, ekonomistit Jacob Frenkel dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Në një email, Staley i shkruan Epstein:

“Surprizë, surprizë… Pavarësisht gjithë vështirësive, arritëm të siguronim një takim me Kryeministrin Netanyahu.”

Ehud Barak, këshilla sekrete dhe projekte energjie

Korrespondenca mes Epstein dhe ish-kryeministrit izraelit Ehud Barak zbulon një rol shumë më aktiv të Epstein sesa thjesht investitor. Ai shfaqet si filtrues, këshilltar strategjik dhe ndalues projektesh.

Në vitin 2013, Epstein paralajmëron Barakun se Gjykata e Lartë izraelite mund të bllokojë eksportin e gazit. Në vitin 2014, Barak i kërkon mendim për shitjen e kompanisë energjetike GADECO, por Epstein reagon ashpër:

“Kjo është marrëzi e plotë. Mos u duk sikur po shet mbeturina apo po mashtron.”

Pas këtij paralajmërimi, Barak pranon se e ka “vrarë butë” projektin.

Dronë diellorë, LNG dhe projekte “sekrete”

Dokumentet tregojnë gjithashtu interesin e Epstein për:

  • dronë me energji diellore
  • projekte mini-LNG në Norvegji, Kazakistan dhe Afrikë
  • një prezantim “top secret” për një central diellor 1000 MW në Kili

Në çdo rast, Epstein del si figura që vendos nëse projektet duhet të ecin apo të bllokohen.

CIA, NSA dhe dosjet e fshehta

Një tjetër element alarmues është pretendimi se avokatët e Epstein kanë kërkuar nga CIA dhe NSA dosje të mbajtura për klientin e tyre, çka ngre dyshime serioze mbi rolin e tij në struktura të inteligjencës.

Gjithashtu, dokumentet përmendin ndihmën e Epstein për ushtrinë izraelite dhe kolonët që uzurpojnë tokat palestineze, duke e lidhur drejtpërdrejt me konfliktin dhe politikat e okupimit.

Mandelson, BP dhe Glencore: politika në shërbim të energjisë

Ish-ambasadori britanik në SHBA, Peter Mandelson, del në dokumente si një figurë që kërkon orientim profesional nga Epstein. Ky i fundit i sugjeron role kyçe në BP gjatë krizës së derdhjes së naftës në 2010 dhe ndërmjetëson kontakte me Glencore, ku Mandelson kërkon një pozicion strategjik në prag të IPO-s.

Përfundim: Epstein nuk ishte i vetëm

Dokumentet e reja e bëjnë të qartë se dosja Epstein nuk ka të bëjë vetëm me krime seksuale, por me një operacion shumëplanësh, ku energjia, politika, inteligjenca dhe kapitali global ndërthuren në një rrjet të errët ndikimi.

Një rrjet që ngre pyetje të rënda:

  • Kush e mbrojti Epstein për vite me radhë?
  • Kush përfitoi nga aktivitetet e tij?
  • Dhe sa thellë shkon vërtet ky rrjet në politikat globale të energjisë?

PatriotikMedia.al do të vijojë të ndjekë dhe publikojë çdo zhvillim të ri nga kjo dosje që po trondit themelet e narrativës zyrtare ndërkombëtare. / Anadolu

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *