Rama drejt Brukselit nën hijen e aferës Balluku – BE pezullon IBAR-in për kapitujt e drejtësisë …

Nga Redaksia:

Shqipëria po hyn në një tjetër javë vendimtare për procesin e integrimit europian, në një klimë të rënduar mosbesimi mes Tiranës dhe Brukselit. Vizita e paralajmëruar e kryeministrit Edi Rama në kryeqytetin europian për një takim me presidentin e Këshillit të Europës, Antonio Costa, zhvillohet në një moment kur dosja shqiptare e drejtësisë po ngec seriozisht.

Mungesa e Raportit te Vlerësimit të Standardeve për Reformën në Drejtësi (IBAR) për kapitujt 23 dhe 24, raport ky i domosdoshëm për të avancuar drejt fazës së mbylljes së grupkapitujve të negociatave, ka ndezur alarmin në institucionet e BE-së, ndërsa hetimet ndaj zyrtarëve të lartë dhe reagimet politike ndaj tyre po vendosen nën lupën e fortë të partnerëve europianë.

Sipas një burimi diplomatik, pa miratimin e këtij raporti nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian, procesi i mbylljes së kapitujve nuk mund të nisë. Në mbledhjet e zhvilluara deri më tani në nivel ambasadorësh, janë ngritur kërkesa të qarta për prova konkrete të luftës kundër korrupsionit, përfshirë zyrtarë të lartë të dënuar me vendime përfundimtare dhe sekuestrime pasurish.

Ky qëndrim i BE-së vjen në një kohë kur në Tiranë po zhvillohet një përplasje e hapur mes qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, konkretisht lidhur me dosjen ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Kthesa e papritur e kryeministrit Rama për të mbrojtur publikisht numrin dy të qeverisë së tij ka shtuar ndjeshëm dyshimet në Bruksel mbi vullnetin real politik për të çuar deri në fund reformën në drejtësi.

Burime diplomatike bëjnë me dije se afera Balluku dhe rezistenca që po i bëhet SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme janë diskutuar gjerësisht edhe në mbledhjet e Grupit të Punës për Zgjerim. Edhe pse takimi është zhvilluar me diskrecion të plotë, komisionerja europiane për Zgjerim, Marta Kos, ka kontaktuar personalisht kryeministrin Rama për ta informuar mbi klimën e rëndë të diskutimeve.

Sipas informacioneve, Kos i ka përcjellë Ramës shqetësime serioze të ngritura nga përfaqësues të vendeve kyçe si Gjermania, Franca dhe Holanda, të cilat shohin me alarm faktin që një zyrtare e lartë e akuzuar, e përfshirë në përgjime komprometuese, vazhdon të mbahet në detyrë, ndërkohë që institucionet e drejtësisë përballen me presion politik.

Nëse SPAK dhe Gjykata e Posaçme pengohen më tej në hetimin e dosjes “Balluku”, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE rrezikon seriozisht të kthehet në pikën zero. Me metodologjinë e re të negociatave, një shtet anëtar i BE-së ka të drejtë të kërkojë rikthimin e negociatave në fazën fillestare në rast të regresit në sundimin e ligjit. Kapitujt 23 dhe 24, që lidhen drejtpërdrejt me drejtësinë dhe shtetin e së drejtës, janë hapur të parët dhe mbyllen të fundit, duke qenë kyçi i gjithë procesit.

Megjithëse Edi Rama njihet për aftësinë e tij lobuese në kryeqytetet europiane, përplasja frontale me SPAK për të mbrojtur Belinda Ballukun po konsiderohet në Bruksel si një vijë e kuqe. Nëse nuk ka një ndryshim të qartë kursi nga ana e kryeministrit, procesi i integrimit mund të stopohet menjëherë, çka do të përbënte jo vetëm një dështim për qeverinë shqiptare, por edhe për vetë Bashkimin Europian, i cili ka investuar politikisht në zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor.

Një zhvillim i ri në këtë përplasje është edhe vendimi i mbrëmshëm i Gjykatës Kushtetuese, e cila la në fuqi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut. Tashmë vendimmarrja i kalon Kuvendit të Shqipërisë, i cili duhet të vendosë nëse do t’i hiqet apo jo imuniteti politik një prej figurave kyçe të qeverisë Rama.

Takimi i së hënës në Bruksel mes Ramës dhe Antonio Costës pritet të jetë vendimtar për të kuptuar nëse Shqipëria do të ecë përpara në rrugën europiane apo do të përballet me një bllokim të ri historik, këtë herë jo për mungesë reformash, por për mungesë vullneti për t’i zbatuar ato deri në fund.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *