Kancelari Merz: Këtë vit pritet reforma e pensioneve në Gjermani …

Nga Redaksia:

Gjermania pritet të hyjë këtë vit në një reformë të thellë të sistemit të pensioneve, një proces që – herët apo vonë – do të prekë çdo qytetar. Kancelari Friedrich Merz ka konfirmuar se qeveria synon të vendosë një model të ri pensionesh brenda vitit 2025, duke e cilësuar këtë hap si të domosdoshëm për stabilitetin afatgjatë të sistemit.

“Në marrëveshjen e koalicionit kemi përcaktuar qartë se do ta vendosim sigurinë e pensioneve për të gjitha brezat në një bazë të besueshme”, deklaroi Merz, duke theksuar se pa reformë, sistemi aktual nuk mund të përballojë presionet demografike dhe ekonomike.

Pensionet aktuale nuk preken, por sistemi ndryshon

Gjatë një paraqitjeje në Deutsche Börse në Eschborn, pranë Frankfurtit, kancelari sqaroi se pensionet ekzistuese nuk do të preken. Megjithatë, ai paralajmëroi një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si do të sigurohen pensionet në të ardhmen.

Sipas Merz, kursimet private të pensioneve dhe pensionet profesionale do të kenë një rol shumë më të madh, krahas skemës shtetërore. Ai e përshkroi këtë si një “ndryshim paradigme në politikën gjermane të pensioneve”, duke sinjalizuar largimin gradual nga mbështetja pothuajse ekskluzive te sistemi publik.

Gjermania me fuqinë më të moshuar punëtore në BE

Një tjetër sfidë për pensionet lidhet me strukturën demografike të fuqisë punëtore. Sipas të dhënave të fundit të Zyrës Federale të Statistikave, nga rreth 40.9 milionë të punësuar në vitin 2024, plot 9.8 milionë ishin të moshës 55-64 vjeç, që i bie rreth 24% të punëtorëve.

Kjo është vlera më e lartë në Bashkimin Evropian, ku vendi i dytë është Italia me 23% të punëtorëve në këtë grupmoshë. Në krahasim, Malta ka vetëm 10.8%, Luksemburgu 12.8%, dhe Polonia 15.2%.

Situata tregon se Gjermania ka një fuqi punëtore të plakur, ndërkohë që popullata e re është e kufizuar. Ky fakt përbën një problem serioz për sistemin e pensioneve, pasi gjithnjë e më pak punonjës paguajnë kontributet, ndërsa numri i pensionistëve rritet.

Planet ende në diskutim

Edhe pse reforma pritet të realizohet brenda këtij viti, Merz pranoi se planet konkrete nuk janë ende përfundimtare. Ato do të harmonizohen gjatë muajve në vijim në bashkëpunim me partnerët e koalicionit dhe aktorët ekonomikë e socialë.

Kancelari dhe politikanë të tjerë të mazhorancës shprehen optimistë se procesi do të përmbyllet deri në fund të vitit, duke i hapur rrugë një sistemi më të qëndrueshëm për dekadat e ardhshme.

Një sfidë madhore për Gjermaninë

Reforma konsiderohet jetike për Gjermaninë, pasi vendi ka aktualisht mbi 21 milionë pensionistë, ndërkohë që numri i tyre vazhdon të rritet. Në të njëjtën kohë, pensionet mesatare mbeten relativisht të ulëta, duke e bërë çështjen edhe më të ndjeshme socialisht.

Mosha e lartë e punëtorëve, kombinuar me numrin gjithnjë e më të madh të pensionistëve, është një alarm i qartë për nevojën e reformës. Merz po paraqet plane të reja për pensionet, dhe qytetarët duhet të jenë të përgatitur për ndryshime të thella në mënyrën se si do të sigurohet e ardhmja e tyre financiare.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *