Ka një arsye shumë të thjeshtë pse Edi Rama nuk e publikoi në X (Twitter) letrën e Donald Trump-it.
Dhe kjo arsye nuk ka lidhje me modestinë.
Nga Redaksi:
Nëse kjo do të ishte vërtet një nder personal, një arritje historike apo një vlerësim ndërkombëtar për Shqipërinë, Rama do ta kishte shpërndarë menjëherë aty ku e shohin të huajt: liderët botërorë, diplomatët, institucionet ndërkombëtare dhe media globale.
Por ai zgjodhi Facebook-un.
Zgjodhi publikun e brendshëm.
Zgjodhi propagandën.
Sepse kjo letër nuk është medalje, por dokument me pasoja.
Kur një “ftesë” ka charter, ajo nuk është më ftesë


Në faqen e dytë të letrës që Rama vetë publikoi, Donald Trump flet qartë për:
- charter-in e Bordit të Paqes
- planin gjithëpërfshirës
- nevojën për nënshkrim nga shteti pjesëmarrës
Këtu mbaron çdo narrativë romantike.
Një charter nënshkruhet.
Një charter të lidh.
Një charter të detyron.
Dhe kur një kryeministër flet për charter, por nuk tregon nëse e ka firmosur apo jo, ai po fsheh diçka.
Rama nuk është i zgjedhur, është futur në listë
Raportimet e mediave ndërkombëtare janë të qarta: kjo letër u është dërguar shumë shteteve, jo vetëm Shqipërisë.
Pra, Rama nuk është zgjedhur për ndonjë meritë të veçantë.
Ai është futur në një listë shtetesh që mund të shërbejnë si financues, garantë politikë apo mbulesë morale për një projekt të kontestuar ndërkombëtarisht.
Dhe këtu lind pyetja editoriale që nuk mund të shmanget:
Pse Shqipëria duhet të jetë pjesë e një pazari që shtete të tjera e kanë refuzuar?
- 1 miliard dollarë nuk janë detaj, janë thelbi
- Rama hesht për faktin më të rëndë
- angazhimin financiar.
Sipas raportimeve, për të qenë pjesë reale e Bordit të Paqes, kërkohet kontribut financiar që arrin në 1 miliard dollarë.
Edhe nëse kjo shumë shtyhet në kohë, edhe nëse maskohet si “fazë e dytë”, thelbi mbetet: pa para, nuk ka bord.
Dhe këtu Rama duhet të flasë hapur:
- a ka dhënë angazhim financiar?
- a ka premtuar garanci?
- a ka ofruar territore, lehtësi, projekte, favore?
Sepse Shqipëria nuk ka 1 miliard dollarë për të djegur në eksperimente gjeopolitike.
Kushner, Gaza dhe dyshimi që nuk largohet
Ky projekt lidhet drejtpërdrejt me Jared Kushner-in, një emër që për botën perëndimore nuk përfaqëson paqe, por interesa biznesi.
Kur rindërtimi i Gazës përmendet si “smart city”, kur bregdeti quhet “pronë e vlefshme”, kur fondet private përzihen me luftën dhe diplomacinë, çdo shtet serioz duhet të tërhiqet një hap mbrapa.
Por Rama bën të kundërtën: ai nxiton të fotografohet me idenë, pa pyetur për pasojat.
Nëse nuk është para, atëherë është territor
Nëse Rama nuk ka dhënë 1 miliard dollarë cash, atëherë pyetja është edhe më e frikshme: çfarë ka dhënë?
Sepse Shqipëria ka precedent:
- projekte gjigante pa transparencë
- marrëveshje me Emiratet pa Parlament
- territore strategjike të trajtuara si pronë personale
Dhe kjo e bën heshtjen e Ramës të rrezikshme, jo thjesht të dyshimtë.
Ky nuk është sulm politik, është detyrim kombëtar
Kërkesa që Rama të bëjë publike:
- çfarë ka firmosur
- çfarë ka premtuar
- çfarë ka ofruar
-nuk është opozitë.
-Është kushtetutë.
-Është shtet.
-Është sovranitet.
Nëse këto dokumente ekzistojnë dhe nuk publikohen, atëherë SPAK nuk ka më luksin të heshtë.
Sepse Shqipëria nuk është pronë private, asnjë kryeministër, sado i gjatë në pushtet, nuk ka të drejtë:
- të firmosë marrëveshje ndërkombëtare në errësirë
- të shesë “ftesa” si arritje
- të trajtojë territorin si kolateral politik
Nëse Rama mendon se ka tapinë e Shqipërisë, le ta tregojë.
Nëse jo, atëherë ka vetëm një rrugë: transparencë totale, tani.
Sepse kjo “ftesë” nuk është nder. Është provë. Dhe Rama po dështon ta kalojë.
