ANALIZA: Trumpi paqësor apo gjakatar?

Nga Droboniku Ledian:

Shumica e njerëzve – falë edhe propagandës akademike dhe mediatike – priret ta lexojë realitetin përmes temperamentit të liderit, e jo përmes shkaqeve strukturore të vetë sistemit. Por fatkeqësisht, realiteti nuk funksionon kështu.

As dje, as sot. As në realitetin tonë të brendshëm, as në botë, askund.

Le të lëmë për një çast mënjanë koloninë e dorës së tretë, pellazgjikët e zvarranikët, ramistët e berishistët, dhe të merremi me qendrën e perandorisë – aty prej nga varet oligarkia vendase, ekonomia, financa dhe e ardhmja e këtij populli të lënë në injorancë dhe mjerim.

Çfarë po ndodh sot me Shtetet e Bashkuara dhe me botën?

Historianët pas 100 vitesh do ta lexojnë këtë moment përmes çelësit të financës.

Perandoria Amerikane u mbajt për dekada mbi një projekt pothuajse perfekt: sigurimin e hegjemonisë globale pa nevojën e dhunës së vazhdueshme strukturore, por përmes dobisë universale të dollarit si monedhë shkëmbimi dhe rezervë vlere. Kushdo shtet që ngrinte krye, mjaftonte të përjashtohej nga sistemi financiar dhe falimentonte; liderët shantazhoheshin përmes skandaleve dhe pasurive të tyre të monitoruara në rrjete si SWIFT.

Një mekanizëm perfekt… pothuajse.

Sepse asgjë njerëzore nuk zgjat përgjithmonë (Hegel docet).

Në ekonomi erdhi momenti Triffin. Ndoshta konfliktet globale do të ishin shmangur po t’i ishte dhënë e drejtë planit të Keynes-it. Pas pesë shekujsh kolonizim perëndimor, vendet e Botës së Tretë nisën të ngrinin krye: mësuan të prodhonin, të shkëmbenin mes tyre, të rezistonin. Hendeku teknologjik, ushtarak dhe kulturor nisi të ngushtohej.

Teksa bota ngrihej, perandoria rrezikonte rënien. Shtylla e saj – dollari – po shkërrmoqej si çdo letër pa vlerë. Por ky mal letrash pa vlerë kishte interesa reale për t’u mbrojtur. Këtu lind “vrima” që krijoi financa globale: një vrimë që sot kërkon sakrifica, kryesisht nga kursimet dhe pasuritë e popujve të tjerë.

Borxhi publik i SHBA-ve ka tejkaluar 38 trilionë dollarë. Pagesat vjetore të interesit po arrijnë shifra marramendëse, ndërsa Uashingtoni vazhdon të sillet sikur bota të ishte ende nën kontrollin e tij ekonomik dhe ushtarak. Por epoka e hegjemonisë unipolare ka marrë fund. Dhe fatura po vjen.

Në dekadat e fundit, Amerika shkatërroi bazën e saj prodhuese në emër të globalizimit.

Apple, Tesla, Nike, Fender – ikona të prodhimit amerikan – sot prodhojnë në Kinë, Indi, Meksikë apo Bangladesh. Brezi industrial u zbraz dhe u zëvendësua nga financa spekulative dhe borxhi publik.
Kjo zgjedhje e ka fillesën në vitin 1971, kur Nixon braktisi standardin e arit dhe e shndërroi dollarin në monedhë fiat. Që prej asaj dite, borxhi u bë motori i ekonomisë amerikane. Por një motor që konsumon më shumë sesa prodhon.

Një superfuqi që jeton me hua, shtyp dollarë dhe mban mbi 750 baza ushtarake në mbarë botën për të mbrojtur një rend që nuk e kontrollon më.

Lufta në Ukrainë tregoi kufijtë e kësaj strategjie. Metalet e rralla, jetike për industrinë amerikane, ndodhen në Donbas – tashmë nën kontrollin rus. Ndërsa Moska dhe Pekini konsolidojnë aleancat dhe burimet, Uashingtoni kërkon me dëshpërim depozita të reja në Groenlandë, Iran apo Niger.

Kjo nuk është zgjerim. Është mbijetesë.

Presidenti Trump, një biznesmen i dështuar por një kontabilist i pamëshirshëm, duket se e ka kuptuar se Amerika është një kompani në krizë. Ai provoi tarifat, por goditi edhe industritë e mbetura. Kërkoi kompensim gjeopolitik, por gjeti dyer të mbyllura. Tani lëviz me nxitim, si dikush që e di se koha ka skaduar.

Asnjë ekonomi nuk mbijeton vetëm me financa. SHBA-të duhet të rishpikin veten: të kthehen te prodhimi, të reduktojnë borxhin dhe të heqin dorë nga roli i policit global. Përndryshe, kolapsi është i pashmangshëm.

Trump – dhe elita ekonomike pas tij – ndoshta e kuptoi këtë. Por elita financiare nuk është gati. Paradoksalisht, Amerika superkapitaliste ka nevojë për reforma socialiste: rishpërndarje pasurie, të bllokuar te 0.001% i popullsisë. Pa këtë, makina ekonomike nuk ndizet (Keynes docet).

Por këtë nuk e do elita e lartë. Dhe çuditërisht, as masat popullore, të lobotomizuara nga frika komuniste dhe ëndrra neoliberiste idiote.

Ja pse Trump – dhe SHBA – po përdorin kartën e fundit që u ka mbetur.

Zoti e mbroftë Paqen në Botë.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *