Pasaporta europiane: Vlora pa ujë prej katër ditësh, qytetarët në protestë përballë Bashkisë …

Nga Redaksia:

Vlora prej katër ditësh ndodhet pa ujë të pijshëm, një situatë e rëndë që ka nxjerrë qytetarët sërish në protestë. Edhe këtë të hënë, banorët e qytetit bregdetar kanë dalë në rrugë për të kërkuar një të drejtë elementare, furnizimin me ujë, përballë heshtjes dhe dështimit të institucioneve vendore.

Rreth orës 11:00, protestuesit tentuan të hynin në ambientet e Bashkisë së Vlorës për të kërkuar shpjegime dhe zgjidhje, por u ndaluan nga forcat e rendit. Pas këtij momenti, situata u tensionua, ndërsa qytetarët shprehën hapur revoltën e tyre.

Me bidonë bosh uji në duar, si simbol i mungesës totale të furnizimit, qytetarët hodhën vezë dhe letra higjienike drejt godinës së bashkisë. Më pas, një pjesë e protestuesve u zhvendos në një nga akset rrugore të qytetit, duke bllokuar qarkullimin, si formë presioni ndaj institucioneve që prej ditësh nuk kanë ofruar as zgjidhje konkrete dhe as transparencë.

Sipas njoftimeve zyrtare, shkaku i ndërprerjes së furnizimit me ujë është një defekt i rëndë në linjën kryesore të transmetimit, konkretisht në tubin që furnizon depot e qytetit, me diametër 1000 milimetra. Ky defekt ka bërë që Vlora të mbetet pa ujë, ndërsa specialistët pretendojnë se riparimi është i vështirë për shkak të veçantive teknike të linjës.

Megjithatë, për qytetarët këto justifikime nuk mjaftojnë më. Mungesa e një plani emergjent, e furnizimit me autobote dhe e informimit zyrtar ka rritur ndjeshëm zemërimin publik. Protesta e Vlorës nuk është thjesht një reagim ndaj mungesës së ujit, por një akuzë e drejtpërdrejtë ndaj keqmenaxhimit dhe papërgjegjshmërisë së pushtetit lokal.

Ndërsa qyteti vazhdon të mbetet pa ujë të pijshëm, qytetarët paralajmërojnë se protestat do të vijojnë. Situata në Vlorë shërben si një alarm për mënyrën se si trajtohen shërbimet bazike dhe si përdoret forca e rendit për të përballuar pakënaqësinë qytetare, në vend që të jepen zgjidhje reale.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *