Nga Endrit Reka:
Në 16 Dhjetor 2025 pritet të nënshkruhet një marrëveshje dypalëshe mes ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, një zhvillim i ndjeshëm që ngre shqetësime të mëdha për sovranitetin dhe të ardhmen e vendit. Përmbajtja e saj mbetet e paqartë dhe qëllimisht e fshehur nga opinioni publik, duke theksuar natyrën delikate të çështjeve që trajton: kufijtë detarë, statusin e minoritetit dhe konfigurimet territoriale në jug të Shqipërisë.
Sekreti rreth marrëveshjes nuk është rastësi. Çdo diskutim mbi territore, hapësira detare apo kompetenca administrative rrit koston politike dhe reagimin publik. Historia e marrëveshjeve me dritëhije, sidomos kjo e 16 Dhjetorit, tregon se ato gjithmonë kanë qenë në dëm të interesit kombëtar.
Marrëveshja nuk mbyll problemet, hap fazën finale të projektit grek
Ky dokument nuk përfaqëson arritje diplomatike. Ai është pjesë e një procesi afatgjatë, më shumë se një shekull, që synon zhvendosjen graduale të kufijve politikë, kulturorë dhe administrativë të Shqipërisë në favor të Greqisë. Procesi prek: tokën, detin, trashëgiminë kulturore, identitetin dhe institucionet kritike të vendit.
Fshirja demografike dhe manipulimi identitar
Projekti grek nisi me spastrimin etnik të popullsisë çame në vitet 1922-1924 dhe 1944-1945, duke zhdukur komunitetin autokton dhe toponimet historike. Shqipëria, fillimisht heshturazi dhe më pas administrativisht, pranoi këtë realitet të ri.
Manipulimi identitar vazhdoi me emigrantët shqiptarë në Greqi, të cilët u detyruan të ndryshonin emrat, dhe me legalizimin e vetëdeklarimit të etnisë në Shqipëri, duke krijuar hapësira për përfitime politike dhe territoriale.
Ndikimi u shtri edhe te komuniteti ortodoks shqiptar, përmes ndërtimit të kishave në stil bizantino-helen dhe emërimit të Janullatosit, një shtetas grek, në krye të Kishës Autoqefale Shqiptare, duke përdorur kështu institucionet fetare për uniformizim kulturor.
Infrastruktura civile dhe ushtarake në shërbim të projektit
Greqia ka shtyrë për zgjerimin e njësive administrative me minoritet grek dhe krijimin e korridoreve territoriale, duke u përgatitur për autonomi eventuale. Bazat strategjike shqiptare në jug po degradohen qëllimisht, duke krijuar hapësira civile dhe turistike në vend të funksioneve ushtarake. Ky është një demilitarizim strategjik i zonave të synuara.
Toponimet, trashëgimia dhe entrapment-i detar
Vendosja e varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri dhe riemërtimi i trashëgimisë kulturore shërbejnë si mekanizma presioni dhe mjet për të forcuar pretendime të ardhshme. Marrëveshja e 16 Dhjetorit mund të çojë gjithashtu në humbje të hapësirës detare dhe vendos Shqipërinë në pozitë të ndërlikuar strategjikisht, ku çdo lëvizje detare duhet të kalojë përmes ujërave greke.
Presioni politik dhe bilateralizmi i shtrënguar
Marrëdhëniet shqiptaro-greke karakterizohen nga vetoja greke mbi përpjekjet integruese të Shqipërisë dhe operacionet e pastrimit të emigrantëve, duke imponuar një formë bilateralizmi shtrëngues. Marrëveshja e 16 Dhjetorit nuk mbyll asgjë, por e çon Shqipërinë në fazën finale të një projekti strategjik që Athina ka ndërtuar me koherencë për dekada.
Në artikullin pasues do të analizojmë pasojat e drejtpërdrejta dhe afatgjata për Shqipërinë: sovranitetin detar, ekuilibrat demografikë, kufijtë administrativë dhe pozicionin ndërkombëtar. Ratifkimi i marrëveshjes nuk do të sjellë stabilitet; përkundrazi, do të aktivizojë fazën më të rrezikshme të projektit grek.
