Nga Redi Minga:
Prej më shumë se tre dekadash, shqiptarët janë futur në një rreth vicioz ku dy figura politike – Edi Rama dhe Sali Berisha – duket sikur luftojnë njëri–tjetrin, por në të vërtetë kanë mbijetuar duke luajtur të njëjtën lojë të vjetër.
Njëri vjen nga hija e komunizmit dhe tjetri nga hija e po të njëjtit sistem, dhe të dy kanë ditur ta përdorin pushtetin për vete, jo për Shqipërinë.
Të dy kanë qenë mjeshtër në një gjë: të tallin shqiptarët, t’u mbushin mendjen se po luftojnë kundër “së keqes”, ndërsa në prapaskenë ndërtojnë pazare, rrjete dhe interesa personale.
Kësaj here, Rama del në skenë dhe thotë se Berisha është “e keqja që nuk i ndahet vendit”.
Por përpara se të pranojmë narrativën e radhës të kryeministrit që prej 12 vitesh sundon i vetëm, le të shohim cilat janë realisht të këqijat që nuk i janë ndarë Shqipërisë.
Dhe aty populli mund të gjykojë vetë:
A janë Rama e Berisha dy skaje të së njëjtës medalje?
A është ky tranzicion i stërzgjatur produkt i tyre?
A janë fenomene të trashëguara apo të prodhuara?
Dhe më e rëndësishmja: ku kanë qenë këta dy burra kur Shqipëria është plagosur për vdekje?
Shpopullimi – plagë kombëtare nga koha e Skënderbeut e deri sot
Asgjë nuk e dëmton një komb më shumë sesa humbja e njerëzve. Dhe shqiptarët janë larguar në tre valë shkatërrimtare:
Pas vendosjes së regjimit komunist – kur terrori i Enver Hoxhës i shtyu shqiptarët drejt arratisjes.
Pas rënies së diktaturës – pas izolimit çnjerëzor që e ktheu popullin në të burgosur.
Në 13 vitet e fundit – kur qeverisja Rama, e lidhur me oligarkët dhe rrjetet mafioze, ka krijuar largim masiv të rinisë, profesionistëve dhe shtresës së mesme.
Po Berisha? Ai pati mundësinë ta ndalonte shpopullimin gjatë tranzicionit, por vendi vazhdoi të braktisej edhe nën drejtimin e tij.
Po Rama? Ai e ka kthyer shpopullimin në agjendë shtetërore, si mjet për të ruajtur pushtetin me një popull pa zë.
Në vitet 2005-2009 popullsia u rrit. Sot ikin 500 shqiptarë në ditë.
Dy politikanë, dy periudha, i njëjti rezultat: Shqipëria po zbrazet.
Mafia – partnerja e vetme strategjike e qeverisjes së sotme
Asnjëherë shteti shqiptar nuk ka qenë më pranë mafies sesa është sot.
Mafia dikton politikat, tenderat, zhvillimet e pasurive, energjinë, turizmin, çdo gjë.
Sot mafiozët e Sibales, Ndraghetës dhe qindra grupeve të tjera kanë marrë statusin e “partnerëve strategjikë” të qeverisë.
Po Berisha?
Në 30 vjet tranzicion, ai nuk e çrrënjosi mafien.
Por Rama e legjitimoi, e fuqizoi dhe e vuri në krye të shtetit.
Dhe këtu të dy hyjnë në të njëjtën histori: në vend që ta luftojnë mafien, e kanë përdorur si mjet mbijetese politike.
Tri qeveri në burg – kokat e sistemit që prodhoi të dy
Tranzicioni shqiptar ka krijuar një fenomen unik:
Ministra që përfundojnë të pushkatuar në diktaturë dhe ministra që përfundojnë në burg në sistemin e sotëm.
Nga Enver Hoxha që ekzekutonte kabinetet, te Rama që i ka çuar tri qeveri të tij në qeli – modeli është i njëjtë: shteti përdoret si plaçkë dhe pushteti si pronë private.
Po Berisha?
Edhe rreth tij ka dhjetëra që kanë përfunduar të akuzuar, të arratisur ose nën hetim.
Kjo nuk është çudi.
Kjo është pasojë e së njëjtës shkollë politike që prodhoi Ramën dhe Berishën.
Tradhtia kombëtare – shkaku i përhershëm i rrënimit të shqiptarëve
Dy herë në historinë moderne ka pasur përpjekje të hapura për të shitur kombin:
Hera e parë: kur partizanët e Hoxhës ndihmuan Jugosllavinë në gjenocidin ndaj shqiptarëve dhe kërkuan të bashkoheshin si republikë e shtatë e Jugosllavisë.
Hera e dytë: kur Rama lidhte marrëveshje të fshehta me Vuçiç për ndarjen e Kosovës dhe më pas promovoi projektin Open Balkan – një plan që i jep Serbisë kontroll mbi rajonin.
Dhe Berisha?
Edhe ai ka luhatjet, gabimet dhe kompromiset e tij që e kanë lënë Kosovën e cenueshme dhe Shqipërinë të manipuluar.
Në fund të ditës, të dy i kanë borxhe çështjes kombëtare.
PRA, CILA ËSHTË E KEQJA? RAMA APO BERISHA? APO SISTEMI QË I KA PRODHUAR?
Gjithë këto plagë – shpopullimi, mafia, korrupsioni, tradhtia kombëtare – nuk i kanë prodhuar vetëm individët.
Ato i ka prodhuar sistemi komunist dhe pasardhësit e tij, ai që u dha pushtet Ramës, u dha pushtet Berishës dhe mbolli fara që sot korrin shqiptarët.
E keqja nuk është te dy emrat.
E keqja është fabrikë që prodhon Ramë, Berisha dhe qindra të tjerë si ata.
Prandaj Rama sot mundohet t’ia hedhë fajin Berishës.
Prandaj Berisha mundohet të akuzojë Ramën.
Sepse të dy e dinë se po u prek sistemi, preken edhe ata.
Dhe derisa shqiptarët të mos e shembin këtë sistem, do të dalin gjithmonë “Rama” të rinj dhe “Berisha” të rinj.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
