Nga Redaksia:
Në një reagim në rrjetin social facebook, avokati Arben Llangozi ka komentuar deklaratën e bërë nga Silvio Gonzato, i cili sipas tij po tenton t’iu imponojë shqiptarëve modele dhe standarde që cenojnë familjen dhe identitetin kombëtar.
Lexoni postimin e plotë:
Silvio Gonzato, përse e cënove familjen shqiptare? Përse na kërkon të bëhemi si ti, ndërkohë që askush nuk të paragjykon për zgjedhjen tënde personale? Ne nuk të mohojmë identitetin tënd, as jetën tënde private. E ke deklaruar publikisht se je ndarë nga bashkëshortja, se ke dy fëmijë dhe jeton me një partner mashkull. Është zgjedhja jote – dhe kjo respektohet. Por kjo nuk të jep të drejtën që ne të bëhemi modeli yt.
Shqiptarët kanë një histori, një trung familjar të rrënjosur në nënë dhe baba, jo në formula të paidentitetshme si “Prindi 1” dhe “Prindi 2”. Ligji i ri për “barazinë gjinore” po tenton të fshijë fjalët më të shenjta që kemi: nënë dhe babë. Kjo është cënim i drejtpërdrejtë i identitetit dhe dinjitetit të fëmijëve tanë.
Silvio Gonzato, përse hesht për çështjet jetike të këtij vendi?
Pse nuk flet për shpopullimin dramatik, që po boshatis Shqipërinë?
Pse nuk flet për korrupsionin galopant, për grabitjen e tokave, pronave dhe pasurive të qytetarëve?
Pse nuk thua asnjë fjalë për oligarkët që mbrohen nga ligji, ndërsa njerëzit e ndershëm humbasin investimet, shtëpitë dhe të ardhmen?
Këto janë plagët e vërteta të këtij kombi.
Populli shqiptar ka të drejtë të ngrihet dhe të mbrojë veten. Kjo nuk është urrejtje, nuk është paragjykim – është e drejta për të mbrojtur jetën, familjen, identitetin dhe historinë. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk mund të shkelë vlerat e një kombi të tërë në emër të “standardeve” që nuk kanë as rrënjë, as traditë në këtë tokë.
Por ja pyetja thelbësore:
Pse bindja jote seksuale është e paprekshme, ndërsa bindja jonë për familjen, për nënën dhe babën, për lidhjen tonë me historinë – trajtohet si diçka që duhet ndryshuar, heshtur apo relativizuar?
Nëse preket identiteti ynë, nuk është debat. Është shkelje.
Nëse cënohet familja jonë, nuk është diskutim. Është padrejtësi.
Kur disa të drejta trajtohen si të shenjta e të paprekshme, ndërsa të tjera – ato që lidhen me familjen shqiptare – fyhen, minimizohen ose anulohen, atëherë nuk kemi barazi: kemi standard të dyfishtë.
Pse duhet të përshtatet shumica ndaj kërkesave të pakicës, ndërsa pakica nuk ka asnjë detyrim të respektojë historinë, traditën dhe vlerat e shumicës? Pse duhet të heshtë zëri i shqiptarëve, ndërsa imponohen modele që nuk kanë asnjë lidhje me kulturën tonë?
Kjo nuk është barazi.
Kjo është padrejtësi.
Barazia e vërtetë nuk kërkon që shumica të shlyejë identitetin e vet. Barazia kërkon respekt të dyanshëm pa dhunuar historinë, familjen dhe dinjitetin e askujt.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
