Nga Redaksia:
Gjatë fushatës së fundit elektorale, Edi Rama e shndërroi integrimin europian në kryefjalën e propagandës së tij politike. Me tone triumfaliste e retorikë të kujdesshme, ai deklaronte në çdo dalje publike:
“Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Europian deri në vitin 2030.”
Ky premtim, i përdorur si armë elektorale, synonte të mbillte shpresën se nën drejtimin e tij vendi kishte hyrë në një rrugë të pandalshme drejt Brukselit. Por vetëm gjashtë muaj pas zgjedhjeve, i njëjti kryeministër ndryshon narrativë:
“Anëtarësimi në BE nuk është në dorën time.”
Një deklaratë që bie ndesh me çdo mesazh të fushatës dhe që ngre pikëpyetje serioze mbi sinqeritetin e premtimeve të dhëna para zgjedhjeve.
Fushata dhe mashtrimi politik i “2030-ës”
Dokumentet dhe deklaratat e vetë Ramës gjatë muajve të fushatës tregojnë se slogani “2030” u përdor në mënyrë të përsëritur në komunikimin publik dhe propagandistik të PS-së.
Në asnjë rast nuk u sqarua se ky objektiv nuk është në dorën e qeverisë shqiptare, por varet nga një proces i gjatë negociatash, reformash dhe mbi të gjitha, nga miratimi i 27 vendeve anëtare të BE-së, disa prej të cilave kërkojnë edhe referendume popullore për çdo zgjerim të unionit.
Pra, që në momentin e dhënies së këtij premtimi, kryeministri e dinte se data 2030 ishte politikisht e paarritshme dhe juridikisht e pamundur të garantohej.
Përdorimi i saj rezulton një strategji tipike komunikimi elektoral: të ushqesh shpresë, të fitosh vota dhe më pas të ndryshosh narrativën me justifikimin “nuk varet nga ne”.
Pse Ramës nuk i leverdis një Shqipëri brenda BE-së
Burime nga brenda administratës dhe raportet e organizatave ndërkombëtare theksojnë një tjetër aspekt:
një Shqipëri anëtare e BE-së do të duhet të zbatojë rregulla të detyrueshme për prokurimet publike, transparencën fiskale, gjyqësorin dhe kontrollin e fondeve.
Kjo do të kufizonte në mënyrë drastike modelin aktual të pushtetit, që mbështetet te klientelizmi ekonomik, oligarkët e ndërtimit dhe vendimmarrja e centralizuar.
Pra, pas refuzimit të heshtur qëndron një e vërtetë politike:
Integrimi real europian do të sillte fundin e sistemit të korrupsionit të pandëshkueshëm, i cili prej vitesh mban në këmbë pushtetin aktual.
Deklarata e Ramës “Anëtarësimi nuk është në dorën time” nuk është thjesht një sinqeritet i vonuar, por pranimi publik i mashtrimit elektoral të 2030-ës.
Pas gjithë zhurmës dhe fjalimeve për “Shqipërinë europiane”, sot del në pah se vendi jo vetëm nuk është më afër BE-së, por po largohet gjithnjë e më shumë nga standardet që kërkon ajo.
Në vend të reformave reale, qeveria ka preferuar propagandën dhe ndërtimin e një fasade të rreme europianizimi, ndërsa ekonomia, drejtësia dhe shpresa qytetare mbeten peng i një pushteti që nuk ka interes të ndahet nga privilegjet e abuzimit.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
