Nga Redaksia:
Në Shqipëri ka kohë që po zhvillohet një formë e re e kontrollit publik, më e sofistikuar se çdo censurë e së kaluarës.
Ajo nuk vjen më nga qeveria drejtpërdrejt, por nga një aleancë e heshtur midis platformave ndërkombëtare dhe portaleve “verifikuese” të fakteve, si Faktoje.al.
Kjo aleancë e re ka marrë përsipër të përcaktojë çfarë mund të thuhet, çfarë mund të publikohet dhe çfarë duhet të fshihet nga interneti shqiptar.
Faktoje.al – nga “verifikues faktesh” në filtër politik
Në shkurt të vitit 2018, u lançua për herë të parë në Shqipëri projekti “Faktoje”, i prezantuar si shërbim për verifikimin e fakteve.
Ky projekt u mbështet nga USAID dhe u zbatua nga organizata Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare për Studime Sociale (NCCS).
Në pamje të parë, qëllimi dukej fisnik — “lufta kundër dezinformimit” — por pas perdeve qëndronte një strukturë e ndërtuar me financime dhe ndikime ndërkombëtare, të lidhura me rrjetin global të George Soros, përmes programeve të USAID dhe fondacioneve të lidhura me Open Society.
Kështu, “verifikimi i fakteve” u shndërrua në mekanizëm filtrimi për çdo lajm që sfidon agjendën politike të këtij rrjeti.
Rasti i ID Dixhitale në Angli
Së fundmi, Faktoje.al u hodh në sulm ndaj mediave të pavarura që trajtuan temën e Identitetit Dixhital në Britani, duke mohuar se ekziston ndonjë plan apo debat publik mbi këtë çështje.
Por faktet tregojnë të kundërtën:
Kryeministri britanik ka paralajmëruar publikisht futjen në përdorim të ID-së dixhitale si pjesë e reformës shtetërore.
Më poshtë mund të lexoni:
Në të njëjtën kohë, qindra qytetarë anglezë kanë dalë në protesta në Londër e Manchester kundër këtij projekti, duke paralajmëruar se ai mund të kthehet në mjet kontrolli social.
Megjithatë, Faktoje.al i quajti këto informacione “fake news”, duke tentuar të diskreditojë zërat e lirë dhe portalet që raportojnë ndryshe.
Facebook – aleati global i heshtjes
Ajo që e bën këtë situatë më shqetësuese është fakti se Facebook bashkëpunon zyrtarisht me Faktoje.al në Shqipëri.
Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, çdo postim që përfshin tema të ndjeshme — si pandemia, vaksinat, identiteti dixhital apo korrupsioni ndërkombëtar — etiketohet automatikisht si “dezinformim” nëse bie ndesh me narrativën e “verifikuesve të fakteve”.
Kështu, një kompani gjigante ndërkombëtare si Facebook, në vend që të mbrojë lirinë e shprehjes, po bashkëpunon me struktura të financuara politikisht për të heshtur informacionin që nuk kontrollohet prej tyre.
Në vend që të jetë rrjet social i lirë, Facebook është kthyer në gjykatën dixhitale të mendimit publik, ku “Faktoje.al” luan rolin e prokurorit, dhe përdoruesit shqiptarë – të pandehurit e radhës.
Pse kjo është rrezik kombëtar
Kur një portal i vogël, me financime të huaja, arrin të ndikojë në atë që publikojnë miliona shqiptarë në rrjete sociale, atëherë kemi të bëjmë me një formë pushteti paralel, që nuk i përgjigjet askujt.
Ky është një rrezik i qartë për demokracinë, për median e lirë dhe për vetë sovranitetin informativ të Shqipërisë.
Asnjë institucion privat nuk mund të vendosë se çfarë është e vërtetë për shqiptarët.
E vërteta nuk verifikohet me fonde, por me transparencë, fakte dhe debat të hapur publik.
Deklarata e PatriotikMedia.al
Portali PatriotikMedia.al , shpall publikisht se do të kërkojmë transparencë të plotë ligjore dhe financiare për aktivitetin e portalit Faktoje.al dhe bashkëpunimin e tij me Facebook në Shqipëri.
Nëse është e nevojshme, do të ndërmarrim procedura ligjore për shkelje të të drejtës së informimit dhe për censurë të qëllimshme ndaj mediave të pavarura shqiptare.
Fjalën e lirë nuk e jep dot asnjë “verifikues” i paguar.
E vërteta është e drejtë e çdo qytetari dhe nuk mund të privatizohet nga asnjë portal apo rrjet social.
Në epokën dixhitale, censura nuk vjen më me pranga, por me etiketa verifikimi.
Facebook dhe Faktoje.al përpiqen ta quajnë këtë “luftë kundër dezinformimit”, por në realitet është luftë kundër së vërtetës dhe kundër zërave të lirë.
Shqiptarët kanë të drejtë të dinë, të pyesin dhe të dyshojnë.
Sepse një popull që nuk lejohet të pyesë, nuk është më i lirë – është i kontrolluar.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
