Në Shqipërinë e “drejtësisë së re”, të gjithë janë të barabartë para ligjit — por disa janë më të barabartë se të tjerët.
Nga Redaksia:
Rasti i Belinda Ballukut, zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, është prova më e qartë e dy standardeve që kanë shndërruar reformën në drejtësi në vegël të pushtetit politik.
SPAK ka njoftuar zyrtarisht se Balluku është marrë e pandehur për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publike”, lidhur me tenderin e tunelit të Llogarasë — një procedurë me vlerë rreth 189 milionë euro, ku janë konstatuar shkelje të rënda në favor të kompanive të caktuara.
Hetimi zbulon se pas anulimit të tenderit në dhjetor 2020, ai është rindërtuar dhe rihapur me kushte të ndryshuara, çka ngriti dyshime për manipulim dhe abuzim me fondet publike.
Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Posaçme, theksohet se:
“Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministre e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale kanë të bëjnë me veprimet e saj në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës, për procedurën e prokurimit ‘Ndërtimi i tunelit të Llogarasë’, në seksionin rrugor Orikum–Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë–Sarandë), zhvilluar më 11.12.2020 dhe, pas anulimit të saj, rihapur më 22.6.2021 me fond limit 18,967,810,952.08 lekë pa TVSH.
Më 21.10.2025, Prokuroria e Posaçme njoftoi të pandehurën përmes shkresës me nr. protokolli 37398. E pandehura njoftoi më 23.10.2025 se nuk mund të paraqitej në datën dhe orën e caktuar. Me anë të një shkrese tjetër, nr. 37881, datë 24.10.2025, Prokuroria kërkoi paraqitjen e saj më 31 tetor, në orën 15:00.”
Megjithatë, ndryshe nga çdo qytetar i zakonshëm apo politikan opozitar, SPAK nuk vendosi asnjë masë sigurie ndaj saj.
Balluku vazhdon në detyrë, në zyrë dhe në udhëtime, pa asnjë kufizim, sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Kjo, në një kohë kur Sali Berisha mbahet peng me detyrim paraqitje pa akuzë konkrete, ndërsa ndaj Ilir Metës kërkohen masa ekstreme si “arrest me burg”.
Në rastet e opozitës, SPAK vepron me shpejtësi e ashpërsi; kur bëhet fjalë për njerëzit e Edi Ramës, drejtësia kthehet në peshore të dirigjuar politikisht.
Ky kontrast nuk është thjesht procedural — është moral dhe sistemik.
Ai tregon se drejtësia e pasreformës nuk është e pavarur, por nën urdhërat e qeverisë që e promovoi si “arritje historike”.
SPAK, që duhej të ishte simbol i integritetit, është shndërruar në garant të pushtetit, jo të ligjit.
Në Shqipëri, janë hetuar dhe burgosur ish-presidentë, ish-ministra dhe kryebashkiakë, ndërsa disa si Arben Ahmetaj janë në arrati.
Tani, edhe numri dy i qeverisë është zyrtarisht në listën e të pandehurve, por me trajtim “VIP”, si të kishte imunitet të padukshëm.
Në fund të ditës, qytetarët kërkojnë drejtësi të barabartë, jo spektakel.
Por për sa kohë që SPAK ndëshkon kundërshtarët dhe mbron ministrat e Ramës, reforma në drejtësi mbetet vetëm një iluzion i shtrenjtë, i paguar me taksat e shqiptarëve dhe me duart e Sorosit.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
