Nga Redaksia:
Sali Berisha është i gatshëm për t’u ulur në një tryezë me Edi Ramën për ndryshime kushtetuese, pa asnjë kërkesë publike dhe pa një platformë të qartë, është një sinjal i qartë se pazari i errët i prillit 2008 vijon të jetë gjallë. Kjo tregon se, pas gjithë retorikës së “luftës politike” dhe “mosnjohjes së zgjedhjeve”, dy protagonistët e tranzicionit politik shqiptar vazhdojnë të flasin në gjuhën e interesave të përbashkëta, jo të popullit.
Nëse Berisha dikur akuzonte Ramën si “armik të demokracisë”, sot e pranon në tryezë si bashkëautor të një Kushtetute që vetë ai e quajti “bastarde”. Ky është një sinjal që për demokratët e ndershëm, është thikë pas shpine: pas gjithë sakrificave, pas gjithë protestave, gjithçka kthehet në një marrëveshje të vjetër që mban peng Partinë Demokratike dhe vetë demokracinë shqiptare.
Në thelb, kjo gatishmëri nuk ka të bëjë me reformimin e sistemit, por me ruajtjen e status quo-së që lindi pas Gërdecit – një tragjedi që shënoi jo vetëm një krim shtetëror, por edhe fillimin e fundit të fitores së djathtë në Shqipëri. Që nga viti 2009, me ligjin elektoral të prillit 2008 dhe listat e mbyllura, Partia Demokratike nuk ka fituar më asnjë palë zgjedhje: 2009, 2013, 2017, 2021, 2025 – humbje pas humbjeje, gjithmonë nën hijen e një Kushtetute të manipuluar për interesa të ngushta politike.
Përse tani?
Sepse edhe Rama, edhe Berisha, kanë nevojë për mbijetesë politike. Njëri për të shmangur drejtësinë e SPAK-ut, tjetri për të blerë kohë përballë shkatërrimit të partisë që dikur e quante “shtëpia e lirisë”. Dhe ky bashkim interesi nuk është për shqiptarët – është për të shpëtuar veten.
Prandaj, çdo ftesë për “tryezë” është një kurth për popullin, jo një shpresë për ndryshim. Shqiptarët nuk kanë nevojë për marrëveshje të fshehta midis atyre që e kanë ndarë pushtetin në 17 vite tranzicion të pafund, por për një sistem të drejtë, me lista të hapura dhe votë të lirë, që i kthen politikën në shërbim të qytetarit, jo të klaneve.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

