Nga Redi Minga:
Kontinenti që dikur drejtonte botën, sot po zhytet në krizë ekonomike, morale dhe identitare
Evropa, dikur qendra e qytetërimit, e kulturës dhe e progresit botëror, po shndërrohet përditë në një laborator të vetëshkatërrimit.
Në vend që të mbrojë vlerat, traditat dhe popujt e saj, ajo po lufton kundër vetvetes, e komanduar nga burokratë të paguar, ideologë të deformuar dhe interesa që vijnë nga jashtë kontinentit.
Ekonomia e rrënuar – luks mbi borxh
Sot, Evropa mban mbi 15 trilionë euro borxh, dhe megjithatë vazhdon të financojë luftëra, sanksione dhe projekte “të gjelbra” që varfërojnë qytetarin e zakonshëm.
Gjermania, Franca e Italia – shtyllat e Bashkimit Evropian – po humbasin industrinë, tregun dhe autoritetin.
Kompanitë po shpërngulen në Azi e SHBA, ndërsa qytetarët përballen me rritje çmimesh, papunësi dhe taksa të padurueshme.
Por në vend që të kërkojë zgjidhje reale, Brukseli merret me ideologji të rreme, propagandë klime dhe censurë politike, duke e çuar kontinentin drejt një kolapsi të programuar.
Krizë morale dhe identitare – zhdukja e Evropës së vërtetë
Evropa e sotme nuk është më ajo e vlerave kristiane, e nderit dhe familjes, por një laborator social ku po shkatërrohet çdo bazë e identitetit tradicional.
Në emër të “tolerancës” dhe “progresit”, po shuhet ndjenja kombëtare, po zhbëhet historia dhe po fshihet kujtesa e popujve.
Në vend që të ngrihen kundër padrejtësive, evropianët e sotëm heshtin, të mpirë nga propaganda dhe konsumi, ndërsa vendet e tyre mbushen me varësi ekonomike dhe demografike.
Ky nuk është më zhvillim — është kolonizim modern i mendjes dhe i shpirtit.
Luftërat e huaja – justifikimi i dështimeve të brendshme
Qeveritë e dobëta të Evropës kanë gjetur një armik imagjinar: Rusinë.
Në emër të “sigurisë kolektive”, ato shkatërrojnë energjinë, ekonominë dhe sovranitetin e tyre, duke ndjekur urdhrat e Uashingtonit.
Evropa po lufton kundër interesave të veta, duke ndëshkuar vetveten për t’i bërë qejfin të tjerëve.
Në vend që të ndërtojë paqe e bashkëpunim, ajo po financon luftë, frikë dhe varfëri – një politikë vetëvrasëse që i kthen popujt kundër vetes dhe e copëton kontinentin.
Evropa po bie, sepse s’ka më Europianë të vërtetë
Evropa po shembet jo për shkak të armiqve të jashtëm, por sepse nuk ka më njerëz që ta mbrojnë.
Politikanët janë të shitur, mediat janë të korruptuara, popujt janë të lodhur dhe të frikësuar.
Nëse dikur ky kontinent nxori Homerin, Danten, Volterin e Shekspirin — sot prodhon burokratë pa shpirt e “liderë” pa karakter.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
