Nga Avni Delvina:
Një episod i rrallë dhe pothuajse i panjohur i historisë shqiptare të vitit 1914 është risjellë nga artisti Avni Delvina, i cili tregon historinë e stërgjyshit të tij, kolonjarit patriot Zalo Prodani, komandant i forcave kolonjare.
Ngjarja ndodhi në kulmin e trazirave të brendshme, kur përballë njëri-tjetrit qëndronin forcat nacionaliste dhe ato rebele të lëvizjes së Haxhi Qamilit, të udhëhequra nga komandanti Azis Alia.
Të dyja palët ishin rreshtuar për betejë, kur Zalo Prodani doli përpara dhe i tha kundërshtarit të tij:
“Ne jemi të gjithë shqiptarë. Pse të vriten djemtë tanë me njëri-tjetrin? Dalim ne të dy në duel, dhe kush të fitojë, të shpallet fitimtar.”
Në një akt të rrallë burrërie, Azis Alia pranoi. Përpara syve të ushtrive respektive, të dy komandantët dolën në duel. Të dy shtinë ndaj njëri-tjetrit dhe ranë të vrarë, duke lënë pas një histori që dëshmon se edhe në mes të përçarjes, nderi dhe shqiptaria ishin më të forta se gjakderdhja e kotë.
Avni Delvina ka ndarë edhe një fotografi të stërgjyshit të tij, Zalo Prodanit, e cila mendohet të jetë realizuar mes viteve 1905–1910.

Ky episod mbetet një nga shembujt më të rrallë të historisë sonë, ku dy burra zgjodhën të përballeshin vetë, në vend që të sakrifikonin dhjetëra jetë shqiptare. Dhe ky mesazh është i vlefshëm edhe sot: shqiptarët nuk duhet të derdhin gjak për interesa të huaja, por të bashkohen për lirinë dhe dinjitetin kombëtar.
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.