9 Aug 2025, Sat

Operacionet e mistershme të Ervin Saljanit në Spitalin Amerikan – trajtim luksi dhe shkelje flagrante e ligjit në zemër të sistemit penitenciar shqiptar …

Nga Evi Kokalari:

Këtë fundjavë, më dërguan foto të kartelave mjekësore të ish-deputetit Ervin Saljani, të shtruar jo një, por dy herë në Spitalin Amerikan gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit të tij. Kartelat përmbajnë të gjitha të dhënat: datat e shtrimit, diagnozat, dhe numrat identifikues që konfirmojnë qëndrim spitalor të zgjatur për ndërhyrje që nuk kanë qenë aspak emergjente.

Nëse SPAK ka vërtet dëshirë për transparencë dhe ndëshkim të shkeljeve, këto dokumente janë të gatshme për t’u dorëzuar dhe mjafton një kërkesë zyrtare për verifikim në spital.

Por ndërkohë që ne presim drejtësi, Ervin Saljani – për hir të detyrimit moral që ka ndaj publikut – duhet të bëjë një deklaratë publike sqaruese për këto dy ndërhyrje luksi gjatë kohës që duhej të vuante dënimin për shpifje.

Faktet konkrete nga dokumentet mjekësore

Shtrimi i parë:

Data e shtrimit: 23.11.2024

Data e daljes: 29.11.2024

Diagnoza: Ablacion me radiofrekuencë i VSM sinistër + miniflebektomi

Shtrimi i dytë:

Data e shtrimit: 28.03.2025

Data e daljes: 04.04.2025

Diagnoza: Pas ablacioni me radiofrekuencë, insuficiencë e lehtë venoze në këmbën e djathtë

Të dyja procedurat janë bërë jashtë spitalit Amerikan, në klinika private. Por Saljani është shtruar për vëzhgim nga një javë për secilën, ndonëse asnjë diagnozë nuk kërkonte shtrim të tillë. Ligji shqiptar e përcakton qartë: në mungesë të emergjencës jetike, trajtimi duhet të bëhet në spitalin e burgut.

Në total, Ervin Saljani ka kaluar 14 ditë në një spital privat luksoz, që përbën 5% të kohës së dënimit të tij, ndërkohë që shumë shqiptarë vuajnë për të paguar ilacet bazë, jo më qëndrime në dhoma VIP.

“Kujdesi” i veçantë i Grida Dumës

Përtej abuzimit me sistemin penitenciar, një tjetër skandal shpërthen në këtë histori. Gjatë të dyja shtrimeve, Grida Duma, figura mediatike e opozitës dhe ish-politikane, ka qëndruar me Saljanin në dhomë, në shkelje të plotë të çdo ligji që rregullon trajtimin e të burgosurve. Ky “kujdes” i jashtëzakonshëm është ajo që ajo e quan “sakrificë për dashurinë”, që ka provokuar të qeshura dhe zemërim në rrjet.

Nëse një i burgosur ordiner do të kishte kërkuar një të dashur të qëndronte me të në dhomë, a do t’ia lejonin?

Kosto për taksapaguesit shqiptarë

Ndërkohë që Saljani zbukuronte hundën dhe mbillte flokët, dy apo tre policë të burgut qëndronin me turne të plotë 24-orësh për 14 ditë rresht, në një dhomë ngjitur, për të “ruajtur” të burgosurin VIP. Në total, 336 orë roje paguar nga populli shqiptar, vetëm për kapriçot e një politikani që duhej të vuante dënimin si çdo qytetar.

Pse duhet të reagojnë institucionet?

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, duhet të japë menjëherë një deklaratë: a ka pasur dijeni dhe a e ka miratuar personalisht largimin një-javor të Saljanit dy herë nga burgu?

Drejtori i Burgut të Fierit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, duhet të bëjnë transparencë të plotë mbi kush e ka firmosur këtë trajtim preferencial. Ishte vendim i tyre apo urdhër politik?

Gjyqtari që vendosi shkurtimin e dënimit duhet të rishqyrtojë vendimin. A ishte i informuar për këto dalje? Nëse po, a është mashtruar nga avokatët apo Saljani vetë?

Heshtja e mediave, bashkëfajësi morale

Ditën që doli nga burgu, Saljani dha tre intervista në një natë. Televizionet e kontrolluara nga Berisha dhe klientela e tij e pasur nuk bënë asnjë pyetje për transplantin e flokëve apo luksin në Spitalin Amerikan. Ata u angazhuan vetëm për ta paraqitur si “hero”, duke fshehur një abuzim të madh institucional.

Grida Duma, ndërkohë që shfaqet në studio duke folur për “moralin politik”, flete me të burgosurin në një spital privat në kundërshtim me çdo ligj. Hipokrizi e pastër.

Një ofendim për të burgosurit e vërtetë politikë

Të gjithë ne që kemi pasur familjarë të pushkatuar, të burgosur e të internuar nga regjimi komunist, ndjejmë veçse ofendim nga kjo histori. Historia e Musine Kokalarit, apo Ivzi Kokalarit, të internuar, helmuar e asgjësuar, tregon një kontrast të tmerrshëm me këtë trajtim bajraktarësh që politika i bën vetes në emër të “drejtësisë”.

Pyetja e madhe: A e dinte Edi Rama?

A mund të ndodhte kjo pa dijeninë e Ramës? Personalisht besoj se jo. Kjo është një skemë që kalon nga Manja, kalon nga drejtoria e burgjeve, dhe përfundon në dorën e Ramës.

Dhe nëse Rama e ka ditur dhe e ka lejuar, atëherë nuk kemi më një problem politik, por një sistem të kalbur që funksionon mbi bazën e interesave të ndërsjella me “opozitën e kapur”.

Ky nuk është vetëm një skandal shëndetësor, është një krim moral ndaj qytetarit shqiptar. Sepse ndërsa ata shkojnë në spitale publike pa ilaçe, Ervin Saljani dhe të dashurit e tij marrin shërbim luksoz, në emër të “drejtësisë”.

Dhe për ata që ende besojnë se Shqipëria është gati për Bashkimin Europian — ky rast është prova e gjallë që jo vetëm nuk jemi gati, por po i largohemi gjithnjë e më shumë çdo vlerë demokratike.

Deklaratë ligjore:

Të gjitha informacionet e mësipërme janë të bazuara në dokumente reale dhe burime të besueshme. Ky investigim është në përputhje me Nenin 22.1 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe Nenin 1 të Kushtetutës Amerikane që mbrojnë lirinë e mendimit dhe të shprehjes.

Autore: Evi Kokalari – Transparencë për të vërtetën, pa kompromis.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *