Nga Redaksia:
Një ndër zërat më të pakompromis të politikës shqiptare, Myslym Murrizi, ka denoncuar sërish publikisht një nga aferat më të mëdha ekonomike në historinë e Shqipërisë: vjedhjen mbi 10 miliardë euro nga kompania Bankers Petroleum, që prej vitit 2004 ka nxjerrë naftë nga toka shqiptare pa paguar asnjë qindarkë tatim fitimi.
Murrizi flet pa doreza për bashkëpunimin mafioz mes qeverive të PD dhe PS, për heshtjen e të gjitha partive politike, të reja apo të vjetra, si dhe për shndërrimin e Parlamentit në një komitet privat të interesave të pista që kanë ndarë në heshtje pasurinë kombëtare.
Lexoni postimin e plotë të Myslym Murrizit:
Që nga viti 2004, kompania Bankers Petroleum ka nxjerrë nga toka shqiptare qindra milionë fuçi naftë, por nuk ka paguar asnjë qindarkë tatim fitimi në buxhetin e shtetit shqiptar. Fitimi i saj real – siç e denoncoi publikisht në Kuvend në vitin 2020 një nga deputetët e pakët që ka folur hapur – është ndarë nën dorë me të gjitha qeveritë që kanë qenë në pushtet.
Në kohën kur ishte në pushtet PD, avokatët e Bankers ishin ish-ministra të PS-së dhe figurat e saj më të njohura juridike.
Kur në pushtet erdhi PS në 2013, avokatët e kësaj kompanie u bënë ish-ministra të PD-së. Ndaj, këta “qen të pushtetit” – të majtë e të djathtë – heshtin njësoj përballë një afere që ka vjedhur mbi 10 miliardë euro nga pasuria kombëtare e shqiptarëve.
Për këtë skandal nuk ka folur asnjë lider i partive të reja, të ashtuquajtura “kurajoze”, asnjë nga të vetëquajturit “pro-perëndimorë”, as LSI, PR, PDIU, apo satelitët e tjerë politikë që kanë ndarë pushtetin e koncesioneve dhe aferave në çdo cep të Shqipërisë.
Që nga viti 2021, nuk dëgjohet më as zëri i “opozitarëve të fortë” që deri dje ulërinin në çdo seancë parlamentare për inceneratorët, për unazën apo për ndonjë rregullore procedure. Tani nuk hapin më gojën për një aferë 100 herë më të madhe se inceneratorët, 500 herë më e rëndë se koncesionet e sterilizimit, check-up-it apo dializës.
Në vitin 2020, në mes të Kuvendit ia lashe në tavolinë gjoba prej 100 milionë euro që iu “fal” Bankers Petroleum, por as Edi Rama, as ministrat e tij nuk folën. Heshtën si të tredhur. Sepse, siç duket, edhe urdhrin për falje e kishin dhënë vetë!
Më poshtë mund të lexoni:
Shqiptarët po blejnë sot naftën më shtrenjtë se çdo popull tjetër në Ballkan, ndërkohë që nga toka e tyre nxirren mbi 1.5 milion ton naftë në vit nga kjo kompani kineze, dhe paratë e fitimeve u derdhen në xhepat e elitave të kalbura politike dhe financiare të vendit.
Shqipëria ka nevojë për vetëm 800 mijë ton naftë në vit, por vetëm 500 mijë ton zhdoganohen me letra. Pjesa tjetër kontrabandohet me bekimin dhe mbrojtjen e partive që financohen nga kartelet e naftës për të blerë votat e popullit në çdo zgjedhje.
Afera Bankers Petroleum është vjedhja numër 1 e tranzicionit shqiptar. 21 vite heshtje, 21 vite pasuri e plaçkitur, 21 vite pazare politike dhe media të shitura që nuk e përmendin kurrë këtë krim ekonomik kombëtar.
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.