Nga Redi Minga – për PatriotikMedia.al
Ndodhi dhe mrekullia! Europa – e ndihmuar nga disa gota verë në Bruksel dhe një shikim i frikshëm nga drejtimi i Moskës – është zgjuar nga gjumi strategjik. Dhe çfarë bëjnë pas zgjimit? Rrisin shpenzimet e mbrojtjes! Jo 2%, siç u lutej Trump para disa vitesh, por plot 5% të PBB-së. Një sakrificë e madhe për këto demokraci të lodhura që deri dje mendonin se paqja ishte një e drejtë e natyrshme që vinte me pasaportën blu të BE-së.
Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, një ish-kryeministër i holandezëve të neutralitetit dhe ekologjisë së rreme, shpalli me krenari: “Nuk qe e vështirë t’i bindnim vendet për të rritur shpenzimet në mbrojtje.”
Pra, mjaftoi një pushtim në Ukrainë dhe lufta me Iranin që europianët të kuptojnë se bota nuk është një park për barbekju dhe diversitet, por një skenë ku ose je luan, ose je drekë.
Rutte i siguron Europianët që Trump mbetet “absolutisht i përkushtuar ndaj NATO-s”. Ah, sa lehtësim!
Ndërkohë që i njëjti Trump para disa viteve i tallte europianët për mungesën e kontributeve dhe për varësinë nga gazsjellësit rusë, tani të njëjtët liderë janë duke nxjerrë çeqe miliardash për të blerë tanke që nuk dinë as t’i përdorin.
Në Bruksel, ndërkohë, burokratët e Bashkimit Europian janë të shqetësuar. Jo për armët apo sigurinë, por për emrat e operacioneve që duhet të kenë “neutralitet gjinor dhe të jenë të ndjeshme ndaj klimës”. Sepse çfarë është më e rëndësishme sesa të mbrosh kufijtë? Të mos fyesh askënd gjatë bombardimeve.
Ndaj dhe propozimi për të shtuar edhe 1.5% për siguri kibernetike dhe inteligjencë, vjen me një nen të heshtur: “Të mos preken emocionet e palëve të treta.”
Pra, strategjia europiane po ndryshon. Jo domosdoshmërisht sepse i beson më shumë SHBA-së, por sepse nuk ka më luksin të mos jetë serioze për mbrojtjen. Presioni i Trump, agresioni rus lufta me Iranin dhe dobësia e modelit të vjetër të “mbrojtjes falas” e kanë shtyrë Europën të hyjë në epokën e re të përgjegjësisë ushtarake. E gjitha kjo është një ndryshim paradigme, që do të forcojë NATO-n por edhe do të riformatojë balancat në Perëndim.
Pra, pas 80 vitesh gjumë dhe pritje që Amerika ti mbronte falas, Europa më në fund vendosi të blejë… helmetën.
Shënim: kush është Redi Minga
Ai është shkrimtar, analist dhe redaktor i Patriotikmedia.com, Patriotikmedia.al si dhe i Stopfakealbania.com. Origjina e tij është nga qyteti i Tiranes, ai u zhvendos në Zvicer për të punuar për një media Zviceriane, sot ai punon për Patriotik Media Albania dhe që atëherë ka vazhduar të punojë në rolin e analistit ku ka bërë shumë analiza dhe editoriale në disa portale Zviceriane, ai ka shkruar gjithashtu edhe për disa portale amerikane.
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, shpërndarja apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.