19 Jun 2025, Thu

VIDEO/ Netanyahu: Irani ka tentuar dy herë ta vrasë Trumpin – A është kjo një strategji për ta futur Amerikën në luftë të hapur?

Nga redaksia

Në një intervistë të dhënë për Fox News, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu bëri një deklaratë shpërthyese: Irani ka tentuar dy herë të vrasë Presidentin Donald Trump.

Në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë në rritje dhe pas një vale sulmesh masive izraelite ndaj objektivave strategjike në Iran, deklarata e Netanyahu-t tingëllon si një përpjekje për të vulosur një narrativë të rrezikshme: të përfshihet SHBA direkt në një konflikt të ri rajonal.

Në intervistën me gazetarin Bret Baier, Netanyahu tha:

“Këta që brohorasin ‘vdekje Amerikës’, kanë tentuar të vrasin Presidentin Trump dy herë… Ata duan ta vrasin atë. Për ta, Trump është armiku numër një.”

Sipas tij, atentatet janë kryer përmes agjentëve iranianë dhe rrjeteve të tyre të proxy-ve. Një ndër emrat e përmendur është Farhad Shakeri, një operativ iranian i akuzuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë në nëntor të vitit të kaluar, si pjesë e një komploti për atentate ndaj liderëve amerikanë dhe disidentëve të regjimit të Teheranit.

Por këtu lind pyetja që nuk e bën asnjë media e kontrolluar nga establishmenti:
Pse tani? Pse kjo deklaratë bombastike vjen në këtë moment të nxehtë?

Netanyahu, i njohur për retorikën e tij alarmiste dhe për afërsinë personale me Presidentin Trump, duket se po i paraprin një realiteti që shumëkush në Pentagon dhe në Shtëpinë e Bardhë preferon ta shmangë – një përballje ushtarake të drejtpërdrejtë me Iranin. Dhe për këtë, kërkohet një justifikim i fortë emocional për publikun amerikan: tentativa për të vrarë vetë Trumpin.

Një narrativë e tillë shërben jo vetëm për të mobilizuar opinionin publik, por edhe për të detyruar administratën aktuale të ndërmarrë hapa të pakthyeshëm.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë kemi të bëjmë me një skenar klasik të provokimit të aleatit për të hyrë në luftë. Dhe historia na mëson se këto skenare, zakonisht, përfundojnë në katastrofa njerëzore dhe shpërbërje shtetesh.

Më poshtë keni transkriptin i bisedës:

NETANYAHU: “Këta njerëz që brohorasin ‘vdekje Amerikës’, kanë tentuar të vrasin Presidentin Trump dy herë, vranë 241 marinsa tuaj në Bejrut, plagosën dhe vranë mijëra ushtarë amerikanë në Afganistan dhe Irak, tentuan të hidhnin në erë një restorant në Uashington D.C., djegin flamurin amerikan… Ju doni që këta njerëz të kenë armë bërthamore dhe mundësinë për t’i dërguar ato në qytetet tuaja?
Sigurisht që jo. Pra, ne po mbrojmë veten, por njëkohësisht po mbrojmë edhe botën.”

BAIER: “Ju sapo thatë që Irani ka tentuar të vrasë Presidentin Trump dy herë.
A keni informacion inteligjence që këto atentate kanë ardhur direkt nga Irani?”

NETANYAHU: “Po, përmes proxy-ve. Po, përmes inteligjencës së tyre. Ata duan ta vrasin atë.
Për ta, [Trump] është armiku numër një. Shikoni, kanë tentuar të më vrasin edhe mua, por unë jam vetëm partneri i tij më i vogël.
Ata e kuptojnë që Presidenti Trump është një kërcënim i madh për planet e Iranit për të prodhuar armë bërthamore dhe për t’i përdorur ato.”

(Shiko videon më poshtë)

Netanyahu me shumë gjasa nuk i referohej atentatit ndaj Trump në Butler, Pensilvani, por një komploti ku përfshihej një operativ iranian me emrin Farhad Shakeri.

Në nëntor të vitit të kaluar, Departamenti i Drejtësisë paditi Shakerin për komplotin, duke pretenduar se ishte “ngarkuar nga regjimi për të drejtuar një rrjet kriminelësh për të realizuar atentate ndaj objektivave të Iranit, përfshirë Presidentin e zgjedhur Donald Trump.”

“Atë që zbulojmë sot, ekspozon përpjekjet e vazhdueshme dhe të hapura të Iranit për të goditur qytetarë amerikanë, përfshirë Presidentin e zgjedhur Donald Trump, zyrtarë të tjerë dhe disidentë që kritikojnë regjimin në Teheran,” deklaroi atë kohë drejtori i FBI-së, Christopher Wray.

Dalja publike e Netanyahut vjen vetëm disa ditë pas një vale sulmesh masive me raketa të Izraelit ndaj Iranit, me qëllim të deklaruar çaktivizimin e kapaciteteve bërthamore dhe përmbysjen e regjimit iranian.

PatriotikMedia.al do të ndjekë me vëmendje këtë zhvillim që ngjan më shumë me një skenar të shkruar paraprakisht, sesa me një zbulim të papritur. Sepse kur historia përsëritet, herën e parë është tragjedi, herën e dytë farsë.

Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *