19 Jun 2025, Thu

Shqipëria si Monarkia Sorosiane me mëkëmbës King Rama i parë …

Nga Andrea Bregu

Edi Rama ka tashmë përpara 90 ditë për t’u zhytur sërish në fantazitë e tij të çuditshme – ku Shqipëria pushtohet nga “alienë”, “UFO” apo çdo tjetër trillim i një mendjeje që kërkon të zgjerojë kufijtë e absurdit në mandatin e tij të katërt.

Pasi ka përqendruar mbi 90% të pushtetit real në vend, ai tani synon hapur që në vitin 2030 të marrë 98 mandate, vetëm për të vulosur zyrtarisht kurorën si Princ i Principatës Sorosiane. Në logjikën e tij, Kushtetuta është thjesht një dokument që mund të rishkruhet sipas humorit të ditës – dhe zgjedhjet e vitit 2025 kanë qenë, sipas shumëkujt, të fundit të vërteta që ky vend do të ketë.

Në perceptimin e tij vetjak, Rama është i pandalshëm. Ai ka zhdukur çdo pengesë reale përpara pushtetit të tij, dhe kush guxon t’i dalë përballë, e ndjen shpejt peshën e ndëshkimit. Sepse ai nuk pyet më për askënd: as për opozitën, as për ligjin, e aq më pak për Kushtetutën. Ai ka ndërtuar një sistem ku çdo institucion është thjesht një vegël për t’i garantuar atij epërsinë absolute.

Tani nuk ka më kufij mes imagjinatës dhe realitetit. Për Ramën, ligji është ajo që ai imagjinon. Dhe imagjinata e tij, gjithnjë më e çuditshme, më e errët dhe më e izoluar nga realiteti, e vendos veten në rolin e “zgjidhësit” të krizave ndërkombëtare, duke bërë pazare me faktorë të huaj që ka futur në xhep me mjeshtëri klienteliste.

Popullin ai e sheh si një tufë delesh – të mbarështuara çdo dy vjet për “votime”, në një regjim që ka marrë formën e një Orwell-i të Ballkanit, ku “Ministria e së Vërtetës” shitet si “demokracia funksionale”.

Në vetëdijen e tij të fryrë, ai është Thanos-i shqiptar. Me një kërcitje gishti, realiteti ndryshon sipas dëshirës së tij. Dhe ndërsa vendi endet në varfëri dhe emigracion, ai po planifikon 2040-n, 2065-n, dhe madje edhe 2070-ën.

Në skenarin e tij të përjetësisë, Rama do të imagjinojë një eliksir të pavdekësisë që e mban gjallë deri në moshën 106-vjeçare, për t’ia trashëguar më pas fronin të birit. Nuk ka më PS, nuk ka më ndarje pushtetesh – ka vetëm një sistem të ndërtuar për të garantuar pëjetësinë e tij politike dhe biologjike.

Rama nuk qeveris më si kryeministër. Ai sillet si një monark, një “King Rama i” i vetëshpallur i një monarkie sorosiane, ku shqiptarët janë thjesht figurantë në teatrin e madh të absurdit të tij politik.

Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *