Nga Redi Minga
Në një kohë kur tensionet globale kanë arritur pikën kritike – me Izraelin dhe Iranin në prag të një përplasjeje të përgjakshme që mund të përfshijë gjithë Lindjen e Mesme – liderët e botës perëndimore, përfshirë ata të NATO-s, janë mbledhur në tryezat e Këshillave të Sigurisë për të marrë vendime jetike që mund të përcaktojnë të ardhmen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Por ndërkohë që kancelaritë e Evropës dhe Shtetet e Bashkuara janë në gatishmëri të lartë, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, zgjedh të vazhdojë pushimet luksoze në SHBA, duke shëtitur në Manhattan, midis restoranteve të shtrenjta dhe butikëve të George Sorosit, i cili jo rastësisht është sponsori i heshtur i elitave globaliste që e shohin Ballkanin thjesht si një stacion eksperimental për agjendat e tyre.
Në një moment ku çdo lider serioz i një vendi anëtar të NATO-s do të ishte kthyer urgjentisht në atdhe për të koordinuar me strukturat e sigurisë, Rama ka “deleguar” drejtimin e qeverisë zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila përflitet gjithnjë e më tepër si “menaxherja e përhershme” e dosjeve të mëdha që Rama nuk do të përballojë vetë. Një qasje që flet shumë për mënyrën e menaxhimit të shtetit shqiptar: një qeveri që funksionon me autopilot, ndërsa kryeministri shijon jetën si një turist i privilegjuar globalist.
Çfarë mesazhi i dërgon kjo sjellje qytetarëve shqiptarë? Në vend që të tregojë përgjegjësi si një lider serioz në një kohë të trazuar ndërkombëtare, Rama zgjedh t’u japë përparësi marrëdhënieve të tij personale me qarqet që kontrollojnë politikën ndërkombëtare në prapaskenë. Dhe ndërkohë që opinioni publik në Shqipëri endet në kaos ekonomik, me inflacionin që nuk ndalet dhe emigracionin që po boshatis vendin, Rama shet propagandë në Instagram me foto të qeshura dhe darka me “miq”.
Është e qartë: në mendjen e Edi Ramës, Shqipëria është një çështje e mbyllur. Ai e ka transformuar qeverisjen në një reality show personal, ku përgjegjësia është luks, dhe qeverisja një dekor për karrierën e tij ndërkombëtare.
Por shqiptarët nuk mund të presin më. Në një botë që po rrëshqet drejt konfliktit të hapur, është e papranueshme që një kryeministër të jetë më shumë i pranishëm në kokteje me miliarderë sesa në mbledhjet e sigurisë kombëtare.
Shënim: Kush është Redi Minga
Ai është shkrimtar, analist dhe redaktor i Patriotikmedia.com, Patriotikmedia.al si dhe i Stopfakealbania.com. Origjina e tij është nga qyteti i Tiranes, ai u zhvendos në Zvicer për të punuar për një media Zviceriane, sot ai punon për Patriotik Media Albania dhe që atëherë ka vazhduar të punojë në rolin e analistit ku ka bërë shumë analiza dhe editoriale në disa portale Zviceriane. Biles ai ka shkruar gjithashtu edhe për disa portale amerikane.
Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.