Nga Redi Minga
Çamëria nuk është thjesht një çështje e pazgjidhur – është një plagë e gjallë në ndërgjegjen kombëtare shqiptare. Është dhimbja e atyre që u përzunë nga shtëpitë e tyre, që lanë pas varret, kishat, xhamitë, djepin e identitetit. Por në Shqipëri, kjo çështje është kthyer në një teatër turpi, ku politika luan rolin e patriotit ditën dhe nënshkruan marrëveshje turpi natën.
Çamëria na mori malli, por malli është i popullit, jo i politikanëve. Sepse mizat e kalit që janë mbirë në kupolën e pushtetit nuk e durojnë erën e drejtësisë historike. Ata ushqehen me heshtje, me korrupsion, me euro dhe bakllava nga Athina zyrtare. Janë të njëjtët që në Tiranë flasin për “bashkëjetesë”, por ulin zërin kur Athina flet për “pronat e tyre” në Sarandë e Himarë.
Kush flet sot për Çamërinë? Një grusht patriotësh të shpërfillur, disa pasardhës të familjeve çame që përballen çdo ditë me përçmimin institucional dhe me propagandën “mos hapni plagët”. Ndërsa partitë politike – të majta, të djathta, të shitur e të larë me para greke – përdorin çështjen Çame si karrem elektoral. Sa herë afrohen zgjedhjet, kujtohen për “të drejtat e harruara”, për të nxjerrë ndonjë flamur dhe për të marrë ndonjë votë. E pastaj, harresë totale.
A nuk ishte Edi Rama që i tha grekëve në Athinë “ju dua shumë”? A nuk ishin të tijtë që heshtën për ligjin e luftës? A nuk janë të njëjtët që fusin në xhep miliona përmes aferave me kompanitë greke në energji, tregti dhe turizëm, ndërkohë që çamët e vërtetë jetojnë me qira dhe pa të drejtë prone në vendin e tyre?
Po opozita? Ajo që dikur kishte flamurin e çështjes Çame në dorë, sot është zhytur në heshtje dhe ndarje të brendshme, duke lënë fushën bosh për servilët e diplomacisë greke në Tiranë. Kush flet për Vasil Bollanon, për Himarën, për pushtimin ekonomik të Jugut? Askush. Sepse të gjithë janë bërë pjesë e lojës së madhe: “Mos prishni marrëdhëniet me fqinjin jugor”.
Në këtë mes, populli çam është viktimë dy herë: njëherë nga genocidi grek i 1944-ës, dhe herën e dytë nga heshtja dhe tradhtia e klasës politike shqiptare. Ata nuk kërkojnë lëmoshë, por drejtësi. Ata nuk kërkojnë luftë, por të drejtën për të mos u harruar.
Dhe nëse sot flasim për “integrim evropian”, atëherë le të pyesim: a ka vend në Evropë për një shtet që mban ende në fuqi një ligj lufte ndaj një kombi fqinj? A ka vend në Evropë për një qeveri shqiptare që nuk guxon as të përmendë emrin Çamëri në tryezat diplomatike?
Historia nuk fal, dhe as nuk harron. Dhe një ditë, kur të ndalen të gjitha propagandat, kur të shuhet tymi i fjalimeve boshe, do të mbetet vetëm një zë: Zëri i Çamërisë që kërkon të drejtën e vet.
Por derisa të vijë ajo ditë, mizat e kalit do vazhdojnë të fluturojnë mbi llumin e politikës shqiptare, duke penguar drejtësinë historike dhe duke u pasuruar me heshtjen e popullit. Dhe për këtë, fajtor nuk është vetëm Athina. Fajtori është Tirana.
🎵 Ky shkrim u frymëzua nga zëri i dhimbjes dhe krenarisë që kumbon në këngën “Çamëri, na mori malli”. Le të dëgjohet ky mesazh më shumë se zërat e politikanëve që e kanë shitur shpirtin për interesa personale.
Shikoni videon këtu
Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.