SPAK-u në restorant: Një darkë, një faturë dhe shumë pyetje për drejtësinë …

Nga Erges Eskiu:

Katër prokurorë dalin nga puna me stomakun bosh dhe vendosin të ndalen në një restorant luksoz në një nga zonat më ekskluzive të Tiranës. Në tavolinë ulen Klodian Braho, Altin Dumani dhe dy kolegë të tjerë.

Kamarieri afrohet me buzëqeshje për të marrë porosinë.

Shef Klodi, porosit çfarë të duash, sot paguajmë ne! – i thotë me humor njëri prej tyre.

Porosia nuk kursehet. Fruta deti të pjekura në furrë, peshk importi, verë nga më të shtrenjtat dhe sallata për shoqërim. Tavolina dukej sikur po priste një banket mbretëror.

Kalojnë minuta… pastaj një orë… më pas dy orë.

Në tavolinë nuk vjen asnjë pjatë. Vetëm një shishe ujë dhe katër gota.

Kur durimi kishte marrë fund, kamarieri rikthehet me një letër në dorë.

– Zotërinj, fatura juaj është 4 300 euro. Ju lutem bëni pagesën, se po mbyll turnin.

Prokurorët mbeten të shtangur.

– Si mund të paguajmë për diçka që nuk na e solle? Nuk kemi ngrënë asnjë kafshatë! – i drejtohen kamarierit.

Ai ngriti supet dhe iu përgjigj me qetësi:

– Unë porosinë e kam kaluar në kuzhinë. Nëse nuk erdhi ushqimi, nuk është problemi im. Pagesa duhet bërë.

Pastaj shtoi me një buzëqeshje ironike:

– Në fund të fundit, kështu paguajnë prej vitesh edhe shqiptarët. Paguajnë për inceneratorë që nuk punojnë, për projekte që nuk shihen, për sisteme që bien, për miliona euro që avullojnë, ndërsa shërbimi mungon.

Në tavolinë ra heshtja.

Fjalët e kamarierit kishin goditur më fort se çdo faturë.

Në fund, sipas humorit të tregimit, prokurorët nuk debatuan më. Qeshën, u ngritën nga tavolina dhe shkuan në një gjelltore pranë spitalit për të ngrënë paçe, pilaf e kërnacka, duke lënë pas restorantin dhe “faturën” që u kujtoi një realitet të hidhur.

Satira nuk synon të japë fakte të reja, por të ngrejë një pyetje që shumë qytetarë e bëjnë prej kohësh: a duhet të vazhdojnë shqiptarët të paguajnë faturat e aferave të dyshuara korruptive, ndërsa presin që drejtësia të japë përgjigje?

Shënim: Ky shkrim është satirik dhe përdor humorin për të komentuar perceptimin publik mbi çështje të debatit politik dhe institucional. Ai nuk paraqet pretendime faktike për ngjarjen e përshkruar.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top