Kufizohet roli i KLSH ndaj Bankës së Shqipërisë? Debat mbi ndryshimet ligjore dhe akuzat për “puç kushtetues”…

Nga Azmi Stringa:

Një debat i fortë është hapur pas publikimit të projektligjit për Bankën e Shqipërisë, konkretisht nenit 60, i cili përcakton mënyrën se si Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) mund të ushtrojë audit mbi institucionin.

Sipas tekstit të projektligjit, KLSH autorizohet të auditojë vetëm veprimtarinë administrative të Bankës së Shqipërisë, si asetet, pajisjet, shërbimet mbështetëse, burimet njerëzore dhe administrimin. Ndërkohë, auditimi nuk shtrihet mbi politikën monetare, funksionet themelore të bankës qendrore, mbikëqyrjen bankare apo pasqyrat financiare, të cilat i nënshtrohen auditimit të jashtëm.

Kjo ka ngjallur reagime të forta nga ekonomisti Azmi Stringa, i cili e cilëson ndryshimin një “puç kushtetues”.

Sipas Stringës, kufizimi i kompetencave të KLSH-së bie ndesh me nenin 162 të Kushtetutës, ku përcaktohet se Kontrolli i Lartë i Shtetit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar në vend dhe i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.

Ekonomisti argumenton se, me këtë ndryshim, Banka e Shqipërisë fiton një status të veçantë, duke kufizuar kontrollin e institucionit kushtetues mbi veprimtarinë e saj. Sipas tij, projektligji krijon një situatë ku audituesi i jashtëm privat mund të ketë akses më të gjerë se vetë KLSH-ja.

Stringa sjell edhe shembullin e blerjes dhe rikonstruksionit të ish-Hotel Dajtit nga Banka e Shqipërisë, duke ngritur pyetjen nëse veprime të tilla duhet t’i nënshtrohen kontrollit të plotë publik. Ai pretendon se banka qendrore ka ndërhyrë në financimin e investimeve që, sipas tij, nuk lidhen drejtpërdrejt me politikën monetare.

Më poshtë mund të lexoni:

Në analizën e tij, ai bën edhe një krahasim me Rezervën Federale të SHBA-së (Federal Reserve), duke argumentuar se edhe pse FED ka kompetencën për emetimin e parasë, ai nuk financon ndërtesa apo investime publike pa procedurat dhe kontrollin e parashikuar nga ligji.

Sipas Stringës, nëse ky model miratohet për Bankën e Shqipërisë, edhe institucione të tjera publike, si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), administrata tatimore, doganat apo institucione të tjera, mund të kërkojnë në të ardhmen kufizimin e kompetencave të KLSH-së përmes ligjeve të veçanta.

Ndryshimet e propozuara pritet të jenë objekt debatesh juridike dhe politike, pasi kritikët ngrenë pikëpyetje nëse kufizimi i rolit të KLSH-së është në përputhje me frymën e Kushtetutës, ndërsa mbështetësit argumentojnë se pavarësia e bankës qendrore është një standard i njohur ndërkombëtar.

Debati tashmë pritet të zhvendoset në Kuvend, ku projektligji do të shqyrtohet nga deputetët përpara votimit përfundimtar.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top