Teheran, 22 qershor 2025 – Regjimi i Republikës Islamike të Iranit ka hyrë në një fazë kritike pas sulmeve ajrore të forcave amerikane mbi objektiva të ndjeshme bërthamore në territorin iranian. Sipas burimeve të shumta ndërkombëtare, të paktën tre qendra kyçe – Fordow, Natanz dhe Isfahan – janë goditur me bomba depërtuese të tipit Massive Ordnance Penetrator (MOP) të lëshuara nga bombarduesit strategjikë B-2 Spirit.
Ndërkohë që propaganda shtetërore iraniane mundohet të ruajë qetësinë artificiale, raportime nga jashtë tregojnë për një evakuim të menjëhershëm të strukturave drejtuese, përfshirë edhe Liderin Suprem Ayatollah Ali Khamenei, i cili mendohet se është larguar nga Teherani pas sulmeve.
Në sfondin e zjarrit dhe shpërthimeve, figura simbolike e regjimit shiit shfaqet tashmë vetëm në pamje të arkivuara. Burime jozyrtare flasin për një goditje të paprecedentë ndaj infrastrukturës ushtarake dhe bërthamore iraniane, duke e lënë sistemin e mbrojtjes ajrore praktikisht të verbër.
Operacioni, i koduar si “Midnight Hammer”, është konsideruar nga analistët si një prej ndërhyrjeve më të sofistikuara që nga Lufta e Dytë Botërore, për shkak të përdorimit të njëkohshëm të 7 bombarduesve stealth B-2, raketave Tomahawk nga nëndetëse amerikane, dhe avionëve të mbështetjes.
Zyrtarë të Pentagonit kanë konfirmuar goditjen, por nuk kanë dhënë hollësi mbi dëmet konkrete apo objektivat e plota. Megjithatë, burime të pavarura thonë se “kapaciteti për pasurim të uraniumit është nxjerrë jashtë funksioni për një kohë të pacaktuar”.
Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, shpërndarja apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.