VIDEO/ Strasburg: Eurodeputetët “kryqëzojnë” Ramën për zonat e mbrojtura: Po dëmtoni integrimin europian, jo protestat …

Nga Redaksia – Kritika të forta ndaj qeverisë shqiptare u artikuluan në Strasburg gjatë mbledhjes së Komitetit Parlamentar për Stabilizim-Asociim Shqipëri–Bashkimi Europian, ku eurodeputetët akuzuan kabinetin e kryeministrit Edi Rama për shkelje të standardeve europiane lidhur me ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura.

Debati u përqendrua te ndryshimet ligjore që, sipas kritikëve, i hapin rrugën ndërtimeve në zona të mbrojtura natyrore, një veprim që eurodeputetët e cilësuan në kundërshtim me direktivat e Bashkimit Europian për mbrojtjen e mjedisit. Ata kërkuan respektimin e transparencës, shtetit ligjor dhe tërheqjen nga ndryshimet e miratuara.

Eurodeputetja italiane Christina Guarda, e cila vizitoi së fundmi Shqipërinë dhe inspektoi zonën e Zvernecit, deklaroi se situata në terren bie ndesh me pretendimet e qeverisë se nuk janë dhënë leje ndërtimi.

Sipas saj, në zonat e mbrojtura janë konstatuar gardhe dhe mjete ndërtimi, ndërsa shpjegimet e autoriteteve shqiptare nuk kanë qenë bindëse. Guarda theksoi se janë pikërisht këto vendime që dëmtojnë rrugën europiane të Shqipërisë dhe jo protestat qytetare, siç ka pretenduar kryeministri Edi Rama.

Edhe eurodeputeti gjerman Sebastian Everding u shpreh kritik ndaj modelit të zhvillimit turistik të ndjekur në Shqipëri, duke nënvizuar se pasuritë natyrore të vendit mund të jenë një avantazh i madh vetëm nëse mbrohen përmes respektimit të ligjit, transparencës dhe standardeve mjedisore.

Përballë këtyre kritikave, përfaqësuesit e mazhorancës mbrojtën qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, duke pretenduar se ndaj Shqipërisë po zhvillohet një fushatë dezinformimi lidhur me situatën e zonave të mbrojtura dhe procesin e integrimit europian.

Debati në Strasburg riktheu në qendër të vëmendjes çështjen e mbrojtjes së mjedisit, respektimit të shtetit ligjor dhe standardeve europiane, ndërsa eurodeputetët përsëritën se progresi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian lidhet ngushtë me zbatimin e reformave dhe respektimin e vlerave demokratike.

Ndalohet kopjimi sipas ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

Back To Top