Nga Redaksia – Debati për trajtimin e protestuesve të ndaluar vijon të thellohet, ndërsa deklaratat publike të Avokatit të Popullit Endri Shabani, avokatit Gentian Serjani dhe ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari paraqesin versione të kundërta mbi rastin e protestuesit Niko Qarkaj.
I pari që reagoi ishte Avokati i Popullit, Endri Shabani, i cili deklaroi se, pas verifikimeve të kryera nga institucioni që drejton, nuk ishin konstatuar shenja dhune ndaj personave të ndaluar gjatë protestës.
Pak më vonë reagoi avokati Gentian Serjani, përfaqësuesi ligjor i Niko Qarkajt. Ai bëri të ditur se klienti i tij vuan nga epilepsia dhe se gjatë qëndrimit në komisariat kishte pësuar disa kriza. Sipas Serjanit, gjatë një prej krizave Qarkaj nuk kishte marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe pretendon se është dhunuar nga efektivë të Policisë së Shtetit.
Serjani kërkoi lirimin e menjëhershëm të protestuesit dhe nisjen e hetimeve për të zbardhur pretendimet e ngritura.
Pas këtyre deklaratave reagoi ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari. Ai tha se kishte kërkuar informacion nga Policia e Shtetit, e cila, sipas tij, i kishte bërë me dije se pretendimet ishin “totalisht të pabaza dhe të pavërteta”.
Lamallari bëri të ditur se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur verifikimet për rastin dhe rikujtoi se edhe Avokati i Popullit, sipas tij, nuk kishte konstatuar shkelje gjatë verifikimeve të kryera.
Ministri paralajmëroi gjithashtu se, nëse edhe AMP arrin në të njëjtin përfundim, Policia e Shtetit do ta referojë çështjen në Prokurori dhe do të kërkojë shqyrtimin e rastit në Dhomën Kombëtare të Avokatisë për përgjegjësi etike dhe profesionale të avokatit Gentian Serjani.
Rasti tashmë mbetet në verifikim nga AMP, ndërsa pretendimet e palëve mbeten të kundërta dhe pritet që hetimet të sqarojnë rrethanat e plota të ngjarjes.
Ndalohet kopjimi Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar PatriotikMedia.al

