Nga Redaksia – Një dokument i publikuar në Kongresin Amerikan ka ndezur debat të fortë politik dhe mediatik në SHBA dhe më gjerë. Bëhet fjalë për Seksionin 224 të projektligjit “National Defense Authorization Act 2027” (NDAA), i cili parashikon një bashkëpunim shumë më të thellë ushtarak dhe teknologjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Dokumenti zyrtar i publikuar nga Komiteti i Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve përmban atë që quhet “United States–Israel Defense Technology Cooperation Initiative”, një nismë që sipas kritikëve mund të çojë në një integrim të paprecedentë të industrive ushtarake dhe sistemeve të mbrojtjes të dy vendeve.
Sipas përmbajtjes së Seksionit 224, parashikohet:
- kërkim dhe zhvillim i përbashkët ushtarak;
- bashkëprodhim armësh dhe teknologjie;
- integrim i sistemeve të inteligjencës artificiale;
- bashkëpunim në luftën kibernetike;
- sisteme autonome dhe armë me energji të drejtuar;
- “network integration” dhe “data fusion”, që nënkupton ndarje dhe integrim të të dhënave ushtarake.
Kritikët në SHBA po paralajmërojnë se kjo nismë mund të shkojë shumë më larg se ndihma tradicionale ushtarake që Uashingtoni i ka dhënë Izraelit për dekada. Disa analistë e kanë quajtur këtë si një përpjekje për të zhvendosur marrëdhënien SHBA-Izrael nga modeli i “ndihmës” drejt një strukture të përhershme integrimi strategjik dhe industrial.
Debati është bërë aq i madh sa kongresmeni demokrat Ro Khanna kërkoi heqjen e Seksionit 224 nga NDAA, duke deklaruar se ky nen mund të institucionalizojë një bashkim afatgjatë të strukturave ushtarake dhe teknologjike mes dy vendeve. Megjithatë amendamenti për ta hequr nuk kaloi në komision.
Edhe organizata amerikane CAIR reagoi ashpër, duke deklaruar se Seksioni 224 “rrezikon të krijojë një integrim të përhershëm të inteligjencës, teknologjisë dhe industrisë ushtarake mes SHBA-së dhe Izraelit”, ndërsa kërkoi ndërhyrjen e Senatit për ta bllokuar atë.
Ndërkohë organizata të ndryshme në SHBA kanë ngritur shqetësime se populli amerikan nuk është informuar mjaftueshëm mbi pasojat afatgjata të këtij projekti.
Seksioni 224 po shihet tashmë nga shumë kritikë si një precedent historik që mund të ndryshojë mënyrën sesi SHBA ndërton aleancat ushtarake në të ardhmen.
Dokumenti zyrtar i NDAA 2027 mund të lexohet në faqen e Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Kongresit Amerikan.
https://armedservices.house.gov/uploadedfiles/fy27_ndaa_chairmans_mark_-_final.pdf
Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.
