Kush Është Investitori i Vërtetë në Zvërnec & Sazan?

Nga Mariela Stefanllari

Para se të dëgjojmë disa momente të fjalës së përdredhur të Ramës për Zvërnecin, duhet të bëjmë me dije që në fillim thelbin e historisë Sazan–Zvërnec, në mënyrë që më pas të dëgjojmë me qartësi gjithçka që u tha sot dhe që do të thuhet në ditët në vazhdim.

Investitori real në Sazan dhe Zvërnec është Edi Rama, mes kompanisë Kastrati dhe atyre kompanive që vendosin gardhe. Atje, mesa duket, Rama ka projektuar të ketë parajsën e tij mbi tokë; atje do të ketë ishullin e tij, siç kishte dikur Onassis ishullin Skorpios.

Rama po u shet shqiptarëve koçanë misri për dru dushku.

Jared Kushner nuk është investitori strategjik në Sazan dhe Zvërnec. Ai dhe disa partnerë arabë të tij, por më shumë partnerë të Ramës, po shesin vetëm emrin e kompanisë. Kaq dhe asgjë më shumë.

Kujdes! Në fillim flitej për investime prej 1.4 miliardë dollarësh; tani flitet për investime me vlerë 4 miliardë dollarë. Një investim i tillë nuk nis nga pasioni, siç deklaron Kushner, por nga studime të thelluara dhe plane biznesi të detajuara, të përgatitura nga ekspertë me emër në botë dhe të orientuara drejt fitimit.

Vetë fjala “pasion”, e përdorur nga Kushner, mjafton për të kuptuar se ai nuk është investitori. Kurrsesi!

Investitori i vërtetë, në opinionin tim, është vetë Rama, për 1001 arsye. Kaq shumë pasuri paska vënë ky piktor basket, me llogoditë e tij, sa duket se ka grumbulluar shuma të mëdha. Ndërkohë që pronën e shtetit, të kombit dhe të popullit e jep, e shet dhe e privatizon sikur ta kishte trashëguar nga prindërit, pronën private ua gllabëron qytetarëve përmes drejtorëve të hipotekës që i ndryshon çdo muaj në Qarkun e Vlorës.

Jo vetëm kaq, por investimet e tij i ushqen dhe i majm edhe me fonde shtetërore, veçanërisht përmes investimeve infrastrukturore në zonë.

Çfarë po i bën Shqipërisë djali politik i Sorosit dhe “gjiganti” i socialistëve, sipas autorit, nuk ia ka bërë asnjë pushtues.

Që të kuptojmë logjikën e gjithë kësaj historie, duhet të kemi parasysh se rrëfimi me Kushnerin dhe “krushqit” amerikanë është vetëm një flluskë. Janë ato sapunkat e hoteleve të dikurshme që Paulin Rama ua shet për djathë në dyllë shqiptarëve, myslimanë e të krishterë.

Investimi në Sazan dhe Zvërnec është ide e vetë Ramës, së bashku me Kastratin. Kushnerin harrojeni si investitor të destinuar të investojë apo të ndërmjetësojë një investim prej 4 miliardë dollarësh në Shqipëri.

Kurrë!

Kushnerit, sipas këtij këndvështrimi, i është ofruar një shumë e majme për t’u shfaqur si partner strategjik. Një marrëveshje e realizuar përmes atij bëmaxhiut tjetër, Grenellit, që Trump e la roje të WC-së në fushën e golfit, mik i të majtëve dhe të djathtëve në Shqipëri.

Dhe kaq. Gjërat janë fare të thjeshta; mos i komplikoni.

Ka bërë Kushner kërkesë për t’u pranuar si partner strategjik? Jo.

Ka dorëzuar Kushner ndonjë plan biznesi për investimin? Jo.

Ka kalkuluar Kushner, së bashku me qeverinë shqiptare, impaktin socio-ekonomik të investimit? Jo.

Është përcaktuar kush merr përsipër investimin në infrastrukturën energjetike dhe hidrike? Jo.

Ka afate kohore të parashikuara për përfundimin e punimeve? Jo.

Nuk ka asgjë. Ka vetëm ca llafe goje të Ramës.

A mund të ketë investitor që të groposë 4 miliardë dollarë në Zvërnec dhe Sazan? Si mund të investojë një investitor gjigant në një shtet pa shtet, në shtetin më të korruptuar të Europës, në Kolumbinë e Europës, në kartelin e kontinentit?

Pse Rama nuk i sugjeron investitorit të investojë për furnizimin me ujë të pijshëm në Tiranë, një investim që sjell fitim të sigurt dhe të shpejtë, ndërsa ndikon drejtpërdrejt në jetën e rreth një milion shqiptarëve?

Ja pra, sipas këtij argumentimi, investitori real është Rama, dora vetë.

Dymbëdhjetë vite kryetar bashkie. Vetëm rrogën mori Rama?

Trembëdhjetë vite kryeministër. Vetëm rrogën mori Rama?

Sa miliarda dollarë mund të ketë Rama vallë, si kryeministri i vendit më të korruptuar të Europës?

Sepse në vendin më të korruptuar nuk mund të jenë korruptuar vetëm shqiptarët dhe të ketë mbetur i paprekur kryeministri. Përkundrazi, aty ku ka shumë të korruptuar, më i korruptuari, sipas autorit, është kryeministri vetë.

Këtë, sipas tij, e dinë shumë mirë grekët, ndaj edhe reagimet e Greqisë dhe të mediave greke lidhur me episodet në Zvërnec kanë qenë të forta. E dinë edhe turqit.

Dhe mesa duket, Rama e ka pisk si me Turqinë, ashtu edhe me Greqinë, gjë që mund ta bëjë të vështirë realizimin e planit të tij për të investuar miliardat në Zvërnec dhe për të ndërtuar parajsën e tij personale dhe të trashëgimtarëve të tij.

Investimi në Zvërnec është i Ramës. Dhe kush ka dyshime, le të mendohet dy herë.

#edirama #project #sazan #zvërnec #prona #rrëmbim #vjedhje #protestë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *