Tragjedia Shqiptare: Shqiptari i pavlerë për Europën – Dëshmia tronditëse e një shqiptari mbi poshtërimin në kufijtë europianë …

Nga Xhensil Shkëmbi:

Një udhëtim disa javor me makinë nëpër Europë është kthyer në një përballje të hidhur me diskriminimin dhe poshtërimin vetëm për shkak të pasaportës shqiptare. Maqedoni, Serbi, Rumani, Sllovaki, Hungari, Gjermani, Danimarkë, Suedi, Zvicër, Itali, Slloveni, Kroaci… shtete që propagandojnë demokraci dhe të drejta njerëzore, por që për shumë shqiptarë vazhdojnë të shohin një qytetar të dorës së dytë.

Dëshmia e mëposhtme tregon sesi shqiptarët trajtohen në dogana si të dyshuar, si njerëz pa dinjitet dhe pa mbrojtje nga shteti i tyre.

Në kufirin serb, autori tregon se polici mori pasaportën shqiptare dhe e hodhi me përçmim, duke urdhëruar që të mos dilnin nga makina derisa ta lejonin ata. Ndërkohë që automjetet me targa të vendeve të tjera kalonin lirshëm, makinat shqiptare mbaheshin për orë të tëra në pritje. Kontrolli ishte i imtësishëm dhe degradues – çanta të hapura, makina të çmontuara dhe trajtim sikur bëhej fjalë për kriminelë.

E njëjta situatë vazhdoi edhe në kufirin me Rumaninë. Një polic rumun, sipas dëshmisë, pranoi se kishin marrë urdhër për të kontrolluar çdo automjet me targa shqiptare. Madje, sipas tij, kishte raste kur shqiptarët ktheheshin mbrapsht drejt Serbisë pa asnjë arsye konkrete.

Por kulmi i poshtërimit ndodhi në Zvicër. Aty kontrolli ndaj makinës shqiptare u krye “deri në qelizë”, ndërsa asnjë automjet tjetër nuk ndalohej. Kur autori pyeti policin për arsyen e këtij trajtimi, përgjigjja ishte e ftohtë dhe brutale:

Je shqiptar, çfarë pret të ndodhë tjetër?

Një fjali që përmbledh realitetin e hidhur që shumë emigrantë dhe udhëtarë shqiptarë përjetojnë çdo ditë në kufijtë europianë.

Ndërkohë, në Shqipëri, politika dhe mediat vazhdojnë të merren me propagandë boshe, me foto diplomatike dhe servilizëm ndaj liderëve europianë. Pak ose aspak flitet për mbrojtjen e qytetarëve shqiptarë jashtë vendit. Nuk dëgjohen nota proteste, reagime të ambasadave apo kërkesa për sqarime ndaj autoriteteve që trajtojnë shqiptarët me diskriminim të hapur.

Autori kujton edhe një eksperiencë të mëhershme në Izrael, ku ishte mbajtur për më shumë se gjashtë orë nën mbikëqyrje të armatosur vetëm për shkak të pasaportës shqiptare. Ndërsa shumë shqiptarë, sipas tij, ndalohen, izolohen apo deportohen pa dinjitet nga vende të ndryshme europiane.

Ironia më e madhe është se kjo ndodh në vitin 2026, ndërkohë që Shqipëria vazhdon të kërkojë anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe propaganda zyrtare flet për “respekt ndërkombëtar”.

Në fund të dëshmisë së tij, autori shkruan nga dogana e Kapshticës, ku prej orësh pret të kalojë drejt Greqisë, duke e mbyllur me një fjali që godet fort:

“Dhe po, unë jam një shqiptar i pavlefshëm për Europën!”

Ky material është pronë e Patriotikmedia.al dhe është i mbrojtur nga ligjet për të drejtën e autorit. Ndalohet riprodhimi, apo publikimi i plotë apo i pjesshëm i këtij materiali pa lejen e shkruar paraprakisht nga redaksia. Shkelësit do të përballen me pasojat ligjore sipas legjislacionit në fuqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *