Nga Anila Aliaj:
Në Shqipëri, protesta është kthyer në një ritual të zakonshëm, por shpeshherë pa rezultat. Turma mblidhet në mbrëmje, njerëzit ecin nën shi, mbajnë pankarta, brohorasin për drejtësi dhe largohen në shtëpi me të njëjtin zhgënjim që kishin para se të dilnin. Ndërsa pushteti vazhdon i qetë jetën e tij luksoze, qytetari i thjeshtë konsumon energjinë e fundit të revoltës në trotuare e sheshe.
Pikërisht këtë paradoks godet me forcë reagimi i Anila Aliajt, e cila e quan protestën e natës një “protestë kundër vetes”.

Sepse ndërsa qytetari endet në të ftohtë me një byrek në dorë, politikanët hanë e pijnë në restorante luksoze me paratë e taksave të tij. Ndërsa protestuesi mendon se po lufton për dinjitetin, ata që e qeverisin e kanë shitur prej kohësh atë dinjitet në pazare pushteti, koncesione dhe marrëveshje të errëta.
Në mbrëmje, pushteti nuk tronditet. Përkundrazi, argëtohet.
Ata shohin nga ekranet turmat që marshojnë, ndërsa llogaritë bankare të oligarkëve fryhen çdo ditë nga firmat e hedhura në zyrat e shtetit. Ata qeshin me familjet e tyre, ndërsa mijëra shqiptarë vajtojnë largimin e fëmijëve drejt emigracionit, të detyruar të braktisin vendin për një copë jetë më të mirë.
Pyetja që ngre Aliaj është e drejtpërdrejtë dhe therëse:
Pse protestohet natën?
Në çdo vend ku protestat kanë rrëzuar sisteme apo kanë detyruar pushtetin të tërhiqet, presioni është ushtruar gjatë ditës — kur administrata punon, kur ekonomia lëviz, kur shteti ndjen bllokimin dhe frikën e reagimit popullor. Protesta që nuk shqetëson pushtetin, por vetëm lodh popullin, rrezikon të kthehet në teatër politik.
Një qeveri nuk trembet nga qytetarë të lodhur që shpërndahen në mesnatë. Ajo trembet kur ndalet ritmi normal i propagandës dhe fasadës së saj. Trembet kur qytetari nuk del thjesht për të bërtitur, por për të ushtruar presion real qytetar dhe kombëtar.
Sot shqiptarët po përballen me një krizë të shumëfishtë: shpopullim, varfëri, korrupsion, kapje të institucioneve dhe humbje të besimit tek politika. Por zemërimi i tyre shpesh kanalizohet në mënyra që nuk prodhojnë ndryshim.
Ndaj reagimi i Anila Aliajt nuk është vetëm kritikë ndaj formës së protestës. Është një akuzë ndaj strategjive të dështuara që prej vitesh e mbajnë popullin në rreth vicioz revolte pa rezultat.
“Naten luftohet armiku, jo miku i vendit”, shkruan ajo me ironi therëse ndaj atyre që i quan “strategë të humbjeve seriale”.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron drama më e madhe shqiptare: populli proteston, por pushteti nuk shqetësohet më nga protestat.
