Nga redaksia PatriotikMedia.al
Një Ministër i MEPJ i papërgjegjshëm
Nga Artur Meçollari
Kryetari i Grupit Negociator të detit 2009, nuk pyet as kryetarin e Grupit Negociator të detit 2018, Armand Skapi, që e ka në krah.
“Nuk e di”, thotë Z. Hoxha, nëse Greqia po kërkon në zonën e kontestuar detare. Të mos e dish është paaftësi dhe papërgjegjshmëri. Në vitin 2015, MEPJ ka bërë notë proteste për një rast të ngjashëm ndaj Greqisë dhe një kompanie norvegjeze. Armand Skapi ka qenë në MEPJ Drejtor i Traktateve.
“Mund të bëhen kërkime dhe po pati rezultate do bëhen të ditura”, thotë Z. Hoxha. Po Greqia me Turqia desh vajti në luftë për kërkimet në zonat e padelimituara në vitin 2019. Madje, Greqisë i erdhi në ndihmë edhe aeroplanmbajtësja franceze “Charles de Gaulle”.
“Pasi të dalin rezultatet do ndahen në mënyrë të barabartë”, thotë Z. Hoxha. I ndave ti si kryetar grupi në mënyrë të barabartë në 2009? Jo – sepse marrëveshjen ta rrëzoi Gjykata Kushtetuese. Ndërsa Armand Skapi, me grupin negociator të 2018, pretendon se e trajtoi ndryshe këtë çështje.
Z. Ferit Hoxha, nuk ka legjitimim më të rrezikshëm të marrëveshjes së vitit 2009, që e drejtove për dy vjet, sesa një vendim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Sepse është i detyrueshëm dhe nuk ke më ku ankohesh. Dhe kështu, vendimi i Gjykatës Kushtetuese shqiptare rrezikon të kthehet në një letër pa vlerë.
(Shikojeni në videon)
Por çfarë deklaronte diplomati i njohur Shaban Murati, e cila nuk mund të kalojë në heshtje duke hedhur dritë mbi një nga prapaskenat më të rënda të diplomacisë shqiptare: tentativat për të imponuar interesat greke mbi detin shqiptar, përmes presionit të integrimit evropian.
Sipas Muratit, gjithçka lidhet me një lëvizje të mirë kalkuluar nga Greqia në vitin 2017, në prag të rihapjes së negociatave për kufirin detar me Shqipërine.
Në një artikull të botuar nga Ekathimerini, ish-ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias pranon hapur se Athina arriti të sigurojë një angazhim të rëndësishëm nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së: respektimi i Ligjit Ndërkombëtar të Detit do të vendosej si kriter për vendet e treta.
Në pamje të parë, një standard ndërkombëtar. Në realitet, sipas Muratit, një kurth diplomatik.
Sepse thelbi i kësaj lëvizjeje nuk ishte ligji – por interpretimi i tij. Dhe pikërisht këtu hyn në lojë interesi grek: detyrimi i Shqipërisë për të pranuar versionin e Athinës për ndarjen e detit si kusht për rrugën drejt Bashkimi Evropian.
Me fjalë të tjera: ose pranoni hartën tonë, ose harroni Evropën.
Kjo është forma më e pastër e presionit diplomatik, e maskuar si “standard evropian”.
Por skandali nuk ndalet këtu.
Sipas dëshmisë së Muratit, diplomacia shqiptare e asaj kohe zgjodhi heshtjen. Opinioni publik nuk u informua për këtë zhvillim kritik. Nuk pati debat. Nuk pati transparencë. Nuk pati reagim.
Në një çështje që prek drejtpërdrejt sovranitetin kombëtar, heshtja është më shumë se dështim – është bashkëfajësi.
Ndërkohë, individë të përfshirë në këto procese negociatore, në vend që të japin llogari për vendimet dhe mungesën e transparencës, vazhdojnë të ngjisin shkallët e karrierës, duke u shpërblyer për “kontributin e tyre kombëtar”.
Por çfarë kontributi është ai që mbahet i fshehtë nga populli?
Çfarë negociatash janë ato që zhvillohen pa dijeninë e qytetarëve?
Dhe mbi të gjitha: kujtdo i shërbyen këto pazare? Shqipërisë apo interesave të huaja?
Sot, kur çështja e detit mbetet ende e pazgjidhur dhe e mbuluar nga misteri, deklarata e Shaban Muratit nuk është thjesht një analizë – është një kambanë alarmi.
Një kujtesë se sovraniteti nuk negociohet në errësirë.
Një thirrje që historia të mos përsëritet.
Sepse një komb që nuk mbron kufijtë e tij, rrezikon të humbasë vetveten.
