19 Jun 2025, Thu

Mësime nga tetë shekuj më parë: Fryma e Magna Carta-s dhe Shqipëria e sotme …

Shkruar nga Klodi Stralla – ekskluzivisht për PatriotikMedia.al

Kur kujtesa historike bëhet kushtrim për drejtësi kombëtare

Në një kohë kur politika shqiptare e ka kthyer drejtësinë në një vegël të pushtetit dhe populli ndihet gjithnjë e më i pambrojtur përballë arrogancës së elitave, kujtimi i disa datave historike nuk është vetëm përkujtim – por kushtrim për zgjim.

Një nga këto data është 15 qershori i vitit 1215, dita kur në një livadh pranë lumit Thames, një mbret u detyrua të përkulet para parimit të drejtësisë. Dokumenti që nënshkroi, i njohur si Magna Carta, është gur themeli i shtetit të së drejtës dhe i demokracisë perëndimore.

Mbreti John, që kishte humbur Dukatin e Normandisë dhe rënduar popullin me taksa të padrejta, përpiqej të sundonte me dorë të hekurt dhe të trajtonte drejtësinë si pronë personale. Por baronët anglezë, duke sfiduar autoritetin e tij, e detyruan të firmoste një dokument që e vendoste mbretin nën ligj dhe i jepte njerëzve të lirë të drejtën për akses të barabartë në gjykata.

Nenet 40, 41 dhe 45 janë thelbësore: ndalojnë ndërhyrjen e pushtetit në drejtësi, kërkojnë gjykim të drejtë dhe emërimin e gjyqtarëve të ndershëm. Magna Carta u bë kështu një kod moral dhe juridik për shoqëritë e lira.

Sot, Shqipëria, që për shumë vite u përpoq të besonte tek një reformë drejtësie si rrugë drejt një shteti të drejtë, ndodhet sërish në duart e një kaste politike që e sheh ligjin si peng. Po rilindin zakonet e sundimit absolut: drejtësia përdoret për të shtypur kundërshtarët dhe për të mbrojtur të korruptuarit; gjyqtarë që s’i druajnë ligjit, por vetëm telefonatave nga lart; të varfrit shtypen si në kohët mesjetare, ndërsa të pasurit blejnë lirinë.

Nëse në shekullin XIII ishte sherifi i Nottingham-it që bëri të lindë legjenda e Robin Hudit, sot janë gjykatës, prokurorë dhe pushtetarë që në mënyrë moderne vjedhin shpresën, ligjin dhe drejtësinë, ndërkohë që qytetarët përjetojnë padrejtësinë si fat të pashmangshëm.

Fryma e Magna Carta-s është më aktuale se kurrë për shqiptarët. Jo si kopje e Perëndimit, por si thelb universal i një shoqërie të drejtë. Nëse nuk reagojmë, nëse nuk organizohemi, nëse nuk ndërtojmë kundërpeshat ndaj këtij degradimi të pandalshëm, Robin Hudët shqiptarë nuk do vonojnë të lindin – ndoshta jo me shigjeta në pyje, por me zëra të guximshëm, me denoncime publike, me revoltë qytetare.

Historia na flet.
A kemi guximin ta dëgjojmë e ta ndjekim?

Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *