Skandal në komunikimin zyrtar: A po dizinformon Policia e Shtetit për kampin Ashraf 3?

Nga Redaksia – Në një njoftim të fundit të Policisë së Shtetit janë ngritur disa pikëpyetje serioze mbi saktësinë e informacionit që i serviret publikut shqiptar. Në reagimin zyrtar të shpërndarë në rrjetet sociale, pretendohet për komunikim të dyshimtë të disa grave me të mitur, policia deklaron se personat e identifikuar janë “shtetase iraniane”.

Në një postim në rrjetet sociale Gjergji Thanasi ngre disa dyshime në lidhje me saktësinë e njoftimit të fundit të Policisë së Shtetit, duke theksuar një pasaktësi në mënyrën se si janë cilësuar personat e përfshirë në rast. Sipas tij, përdorimi i termit “shtetas iranianë” nuk përputhet me realitetin juridik të këtyre individëve dhe krijon konfuzion në opinionin publik.

Më poshtë ai sjell qëndrimin e tij dhe njoftimin përkatës:

Të dashur miq,

Në njoftimin e fundit të Policisë së Shtetit hasa në një dizinformacion të vogël, por të rëndësishëm për saktësinë e informimit publik.

Në këtë njoftim thuhet se personat në fjalë janë “shtetas iranianë”. Kjo deklaratë nuk qëndron.

Arsyeja është e thjeshtë: të gjithë të strehuarit në kampin Ashraf 3 nuk disponojnë dokumente shtetësie nga shteti iranian. Ata nuk kanë pasaportë, kartë identiteti apo ndonjë dokument tjetër zyrtar që të vërtetojë shtetësinë e tyre.

Për këtë arsye, këta persona konsiderohen apolidë, pra persona pa shtetësi.

Mbetet për gjykim nëse ata mund të konsiderohen edhe apatridë, në kuptimin e mungesës së një atdheu funksional.

Për rrjedhojë, përdorimi i termit “shtetas iranianë” nga Policia e Shtetit është i pasaktë dhe krijon konfuzion te opinioni publik.

Zotërinj të Policisë së Shtetit, ju lutem korrigjoni njoftimin për mediat, pasi nuk është në rregull të dizinformohet publiku, qoftë edhe përmes një pasaktësie të tillë.

Njoftimi i Policisë së Shtetit

Duke marrë shkas nga një lajm i publikuar në rrjetet sociale, ku pretendohej se disa gra të mbuluara komunikonin në mënyrë të dyshimtë me të mitur, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit nisën menjëherë verifikimet dhe hetimet përkatëse.

Si rezultat i veprimeve të kryera, u bë i mundur identifikimi i dy shtetaseve që shfaqen në videon e publikuar.

Shtetaset, me inicialet M. G. dhe A. G., u shoqëruan më datë 21.04.2026 në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Nga verifikimet e deritanishme rezulton se këto shtetase janë me shtetësi iraniane dhe janë të pajisura me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, për arsye humanitare.

Në përfundim të veprimeve hetimore paraprake, nuk ka rezultuar që këto shtetase të kenë kryer veprime të kundërligjshme ndaj të miturve.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se, në këtë rast, nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë e të miturve.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vlerësim dhe ndjekje të mëtejshme.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *