VIDEO: Protestat e Opozitës pa strategji konkrete – përplasje, tym dhe asnjë rezultat …

Nga Redaksia:

Protesta e organizuar mbrëmjen e djeshme nga opozita u shndërrua në një tjetër episod tensioni mes qytetarëve dhe forcave të policisë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mungesën e një plani të qartë dhe efektiv përballë qeverisë aktuale.

Tubimi, nuk u shoqërua me fjalime politike nga eksponentë të opozitës, por ajo mori një kthesë më të ashpër pas mbërritjes së Sali Berishës. Në ato momente, një pjesë e protestuesve hodhën fishekzjarre dhe molotov drejt godinës së Kryeministrisë, ndërsa policia reagoi me gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmës.

Pas përplasjes fillestare, protesta u zhvendos drejt disa institucioneve, përfshirë Ministrinë e Infrastrukturës dhe më pas selinë e Partia Socialiste e Shqipërisë, ku u dëgjuan thirrje të forta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Tentativat për përshkallëzim u penguan nga policia, ndërsa situata mbeti e tensionuar deri në orët e vona të mbrëmjes.

Marshimi vijoi drejt zonës së ish-Bllokut, ku forcat e rendit kishin marrë masa për të bllokuar çdo afrim drejt ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha. Edhe aty pati përplasje sporadike dhe incidente me flakadanë e mjete të forta.

Por përtej kronikës së një proteste të zakonshme me tensione, ajo që bie më shumë në sy është mungesa e qartësisë politike dhe mesazhit.

Një pyetje legjitime lind për çdo qytetar që e ndoqi këtë tubim: A ishte kjo një protestë për të rrëzuar qeverinë e Edi Rama, apo një aktivitet për të përkujtuar 22 marsin?

Në fjalimin e tij përmbyllës, Sali Berisha la më shumë konfuzion sesa qartësi. Nuk u kuptua nëse falënderimet e tij ndaj protestuesve ishin për qëndresën politike, apo për flakadanët dhe fishekzjarret që shoqëruan tubimin. Po ashtu, referencat ndaj 22 marsit e zhvendosën fokusin nga protesta aktuale drejt një simbolike të së kaluarës, duke e zbehur qëllimin e deklaruar të rrëzimit të qeverisë.

Kjo paqartësi nuk është thjesht një gabim komunikimi – është një problem serioz organizimi dhe drejtimi. Kur protestuesit dalin në rrugë me pritshmëri për ndryshim real, ata nuk mund të trajtohen me mesazhe të dykuptimta apo me retorikë që lë vend për interpretim.

Në këtë kontekst, një pjesë e opinionit publik e sheh këtë si një tallje me qytetarët që dolën në protestë, duke rrezikuar dhe përballuar gazin lotsjellës, pa marrë në këmbim një drejtim të qartë apo një plan konkret veprimi.

Nëse opozita synon të rikthejë besimin e qytetarëve dhe të krijojë një lëvizje të vërtetë popullore, duhet të dalë nga kjo mjegull politike. Protestat nuk mund të jenë as simbolike dhe as spontane – ato duhet të jenë të organizuara, të vazhdueshme dhe me objektiva të qarta.

Përndryshe, çdo tubim rrezikon të mbetet një shfaqje e momentit, që prodhon vetëm tym, përplasje dhe zhgënjim – pa asnjë ndikim real në ndryshimin e situatës politike në vend.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *