ANALIZA: Të mos e hamë Sapunin për Djathë!

Nga Vladimir Prifti:

Në ditët e fundit dëgjuam deklaratat e komisionit të ashtuquajtur “teknik”, të përbërë nga përfaqësues të mazhorancës, të cilët tentuan të justifikojnë shkarjen masive që solli pasoja të rënda: shkatërrimin jo vetëm të rrugës mbi 100-vjeçare të automjeteve, por edhe të hekurudhës mbi 50-vjeçare.

Kjo hekurudhë ka përballuar për dekada me radhë kalimin e qindra mijëra tonëve mineral pa pësuar asnjë shembje strukturore. Megjithatë, sipas “ekspertizës” së fundit, fajtore paskan qenë reshjet e shumta – dhe jo ndërhyrja e drejtpërdrejtë në ekuilibrin natyror përmes heqjes së inerteve që lumi Shkumbin kishte depozituar ndër shekuj.

Pyetja lind natyrshëm:
A është kjo shkencë, apo një përpjekje për të na shitur sapunin për djathë?

Shpjegimi fizik i dukurisë

Le ta trajtojmë çështjen me parimet bazë të fizikës, të mësuara që në vitin e parë të gjimnazit.

1 – Forca e peshës së masivit

E vetmja forcë kryesore vepruese mbi një masiv toke në shpat është pesha e tij. Kjo forcë ndahet në dy komponentë:

  • Komponenti paralel me shpatin – forca lëvizëse, që nxit rrëshqitjen.
  • Komponenti pingul me shpatin – që krijon forcën e fërkimit, pra rezistencën ndaj rrëshqitjes.

Sa më i madh të jetë këndi i pjerrësisë, aq më e madhe bëhet forca lëvizëse. Njëkohësisht, sa më e vogël të jetë forca e fërkimit, aq më i lehtë bëhet rrëshqitja.

2 – Roli i ujit

Prania e lagështisë midis shtresës rrëshqitëse dhe bazës ul ndjeshëm forcën e fërkimit, duke e bërë masivin më të paqëndrueshëm. Por në zonën në fjalë nuk ka pasur historikisht burime masive ujore që të justifikojnë një fenomen të tillë si shkak natyror i përsëritur.

3 – Roli i inerteve të lumit

Një faktor thelbësor stabilizues ka qenë vetë shtresa e inerteve që lumi kishte krijuar ndër vite. Këto inerte funksiononin si një “mur natyror” kundër rrëshqitjes, duke krijuar një forcë shtesë rezistence përmes ngjeshjes.

Heqja e kësaj shtrese:

  • Zvogëlon forcën frenuese.
  • Ekspozon shpatin ndaj gërryerjes anësore.
  • Lejon që prurjet e rritura të ujit të përshpejtojnë destabilizimin.

Pra, jo reshjet, por ndërhyrja në strukturën mbrojtëse natyrore e ka krijuar kushtin për shkarjen.

Trajtimi fizik i dukurisë është i qartë dhe i thjeshtë.
Ligjet e mekanikës nuk varen nga deklaratat politike.

Kur ndërhyhet në ekuilibrat natyrorë për përfitime afatshkurtra, pasojat janë të pashmangshme. Të fajësosh reshjet për një ndërhyrje njerëzore është një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë.

Shkenca është e ftohtë, e saktë dhe e pamëshirshme ndaj manipulimit.

Prandaj: të mos e hamë sapunin për djathë

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *