Nga PatriotikMedia.al
Po e ndjekim me habi e tmerr një valë të re të “rilindjes” në versionin kosovar: enveristët e rinj që gjejnë ngrohtësi dhe model frymëzimi jo te Ibrahim Rugova apo Adem Demaçi, por te… Edi Rama! Po, te një kryeministër që ka bërë emër ndërkombëtar si artist i mashtrimeve, si mjeshtër i fasadave, dhe si lider i një vendi që prodhon më shumë të ikur sesa shpresa.
Kohët e fundit, edhe figura të dikurshme me profil institucional, si zonja Valdete Daka – ish-kryetare e KQZ-së së Kosovës – kanë filluar të japin intervista më shumë si fanse të liderëve ballkanikë se sa si figura të ftohta të drejtësisë zgjedhore. Kur e dëgjon një personalitet të tillë të lëvdojë Edi Ramën si “udhëheqës global” në emisionin “Oxygen” te Besim Dina, kupton që oksigjeni i propagandës rilindase ka kapërcyer kufijtë e Kukësit dhe po infekton elitën e Prishtinës.
Dhe kështu na lindi ideja më e thjeshtë dhe më paqësore që mund të ketë Ballkani:
Le të bëjmë një shkëmbim të madh popullsie.
Të gjithë ata kosovarë që kanë mall për Shqipërinë e Edvin Ramës – me rritje çmimesh, sistem drejtësie të kontrolluar, pensione që nuk mjaftojnë për ilaçet e diabetit dhe një shëndetësi që në Google shfaqet vetëm si “më keq se në Afrikë” – t’i mirëpresim me duar hapur! Shqipëria Europiane e pret!
Dhe neve që kemi ngelur pak të djathtë, idealistë dhe antikomunistë në Shqipëri, të shkojmë në Kosovë! Të shkojmë atje ku ende kujtohet flamuri kombëtar pa yje blu, atje ku respekti për Rugovën është më i madh se për “vëllazërinë ballkanike” të Sorosit.
Valdetja, me sa duket, nuk ka nevojë për pasaportë shqiptare. Ajo e ka në zemër prej kohësh rilindjen. Madje, me siguri edhe voton në mendje për PS-në, çdo herë që sheh Edi Ramën duke bërë ndonjë fjalim në ndonjë samit ndërkombëtar ku e përmendin vetëm sepse i vë kravatën me ngjyrë që bie në sy.
Ne, ndërkohë, që mezi po nxjerrim bukën e gojës në Shqipëri, s’kemi as pasaportën e Kosovës – por nuk na pengon të kërkojmë strehë ideologjike dhe morale atje ku nuk ka pllakosur ende propaganda e Sorosit dhe Lavdiplomatëve të Tiranës.
Besim Dina, edhe ti, nëse dëshiron, je i mirëpritur të vish në Shqipërinë e re mediatike të Rilindjes. Nëse vazhdon me këtë ritëm, nuk do ishte çudi të të shihnim në panel me Sokol Ballën, duke bërë “polemikë intelektuale” me Grida Dumën e duke ndërprerë Fevziun për të thënë që Rama është vizionar “më shumë se Macron”.
Shqiptarët e Kosovës janë të zgjuar. Dhe fatmirësisht, shumë prej tyre e kanë kuptuar që Edi Rama është një fasadë e pikturuar bukur por e kalbur nga brenda. Por për ata që ende mendojnë se ai është “model udhëheqësie”, kemi një zgjidhje:
Merreni, mbajeni, shijojeni! Ne do të marrim Kosovën. Juve po jua japim Ramën.
Ky është një “win-win” siç thonë ndërkombëtarët që duan stabilitet pa demokraci.
Shqiptarët e ndershëm nuk kërkojnë shumë: vetëm të mos i shesin për budallenj ata që nuk i kanë shitur ende idealet.
Ndalohet kopjimi dhe shpërndarja pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.