Nga Rifat Kullolli:
Nuk ka tradhti më të poshtër se ajo që të vjen nga “i joti”. Për ne socialistët e ndershëm, për ne që kemi sakrifikuar ndër vite bindjen dhe votën tonë të palëkundur me shpresën e një Shqipërie më të drejtë, më sociale dhe më solidare, sot realiteti nuk është thjesht një “dështim” i inskenuar i të majtës nga Edi Rama e langenj, por një masakër shpirtërore për të gjithë të majtën.
Pasuria kombëtare nën administrimin e “mavisë”
Ajo që po ndodh me pasurinë publike nuk është zhvillim; është likuidim i aseteve të popullit.
- Toka bujqësore, pasuria më e rëndësishme e kombit, po transformohet në resorte, kulla e vila, sikur milionat e kinezëve do të vijnë për të banuar.
- Bregdeti, që duhet të ishte sovran dhe i çdo shqiptari, po pritet në rripa dhe u falet “klientëve” të oborrit të pushtetit.
Kjo nuk është politikë majtiste; ky është feudalizëm modern, ku fshatari humb rrugën e zhvillimit, ndërsa oligarku rrethon pronën me roje.
Privatizimi i shërbimeve bazë
Rilindja MAVI ka privatizuar frymëmarrjen e qytetarëve. Kur shëndetësia dhe shërbimet bazë kthehen në koncesione (PPP), shteti nuk na shërben më; ai na shet tek privati. Ne socialistët votuam për një shtet që të shëronte, por morëm shtetin e “specialistëve” që faturon edhe vjedhjen edhe dhimbjen.
Dhimbja më e madhe nuk matet me pasurinë e ministrave, por me syrin e shuar të shqiptarëve. Ne i dhamë votën për dinjitet, por morëm shpinën e partisë për të ulur tavolina me ata që dikur i quanim “armiq të popullit”.
Partia Socialiste si korporatë private
Zhgënjimi është total. Socialistët e vjetër, që besonin tek barazia, shohin sot se partia jonë është kthyer në një korporatë private ku vendimet merren në hotele luksoze, jo në sallat e mbledhjeve para syve të qytetarëve.
Shqipëria “në shitje” – pa asnjë rezervë.
Ndërsa makina propagandistike MAVI flet për “Shqipërinë 2030”, realiteti i dhimbshëm është se, deri atëherë, ndoshta nuk do të ketë mbetur asnjë metër katror tokë publike pa u rrethuar me mure të larta.
Pasojat nuk i ndjen Edi Rama; i ndjejmë ne:
- Iku rinia, sepse vendi nuk ofron mundësi, por nënshtrim.
- Iku shpresa, sepse ai që erdhi si “shpëtimtari i të varfërve” u bë varrmihësi i tyre dhe mbrojtësi më i zjarrtë i të pasurve.
Në vend që të krijonte një shtet social për të gjithë shqiptarët, ai krijoi një shtet autokratik që ushqehet me gjakun e të majtës për të mbushur xhepat e të pasurve dhe të elitës ekstreme të parasë dhe pushtetit absolut.
Sot shqiptari nuk qan thjesht humbjen e një vote; ai qan humbjen e atdheut, që po shitet copë-copë, derisa të mbetemi thjesht qiraxhinj në shtëpinë tonë.
