Nga Redi Minga:
Protesta e 10 shkurtit 2026 nuk është thjesht një dalje në shesh. Ajo është një provë për ndërgjegjen, maturinë dhe përgjegjësinë e rinisë shqiptare. Përballë jush nuk do të qëndrojnë policë që mbrojnë ligjin dhe qytetarin, por struktura të blinduara pushteti, të gatshme të përdorin gaz lotsjellës, ujë me presion dhe dhunë psikologjike për të frikësuar e shpërndarë revoltën.
Rinia duhet ta kuptojë një gjë thelbësore: pushteti aktual nuk ka frikë nga parrullat, por nga vendosmëria. Thirrjet “turp, turp” janë morale, por nuk mjaftojnë përballë një regjimi që ka humbur çdo ndjeshmëri politike dhe njerëzore.
Historia na mëson se Edi Rama, kur ishte në opozitë, nuk u tërhoq përballë dhunës. Përkundrazi, tensioni dhe gjaku i katër qytetarëve të vrarë u përdor si trampolinë politike. Sot, i njëjti njeri kërkon qetësi, bindje dhe nënshtrim. Kjo hipokrizi është thelbi i krizës shqiptare.
Rama nuk erdhi në pushtet për të ndërtuar një Shqipëri demokratike dhe funksionale. Ai erdhi me fasada, bojëra, slogane dhe mashtrime, ndërsa pas tyre u ndërtua një sistem që:
- largoi rininë nga vendi,
- shkatërroi ekonominë reale,
- ktheu shtetin në mjet të një klike,
- dhe e lidhi fatin e Shqipërisë me interesa të huaja ideologjike.
Ajo që po përjetoni sot nuk është rastësi, por pasoja direkte e qeverisjes së Rilindjes Sorosiane, e cila i sheh qytetarët si numra dhe protestën si rrezik, jo si të drejtë.
Mesazhi për rininë është i qartë:
– Mos u bëni mish për top politik.
– Mos lejoni që protesta të përdoret kundër vetë jush.
– Mos prisni gjithçka nga drejtuesit – mendoni, gjykoni dhe veproni me ndërgjegje.
Të marrësh fatin e vendit në dorë nuk do të thotë dhunë, por mosnënshtrim, kthjelltësi dhe vendosmëri qytetare. Koha nuk punon për rininë shqiptare. Çdo vit i humbur është një valixhe më shumë drejt emigrimit.
10 shkurti nuk duhet të jetë fundi i një proteste, por fillimi i një zgjimi.
