VIDEO: Si po grabiten tokat e banorëve për resortin e Bashkim Ulajt – Banorët e fshatit Baks–Rrjoll në Velipojë nën rrethim policor …

Nga Redaksia:

Banorët e fshatit Baks–Rrjoll në Velipojë po përballen me një realitet që i ngjan më shumë një operacioni represiv sesa zbatimit të ligjit. Pronat e trashëguara ndër breza po u merren me forcë për ndërtimin e resortit luksoz “Aba Blue Borgo”, në pronësi të oligarkut Bashkim Ulaj, ndërsa Policia e Shtetit, në vend që të mbrojë qytetarët, është shndërruar në mburojë të interesave private.

Policia kundër banorëve, jo kundër shkelësit

Qindra efektivë policie janë dislokuar në zonën e Rrjollit për të larguar, frikësuar dhe arrestuar banorët që protestojnë paqësisht në mbrojtje të tokës së tyre. Ndërkohë, ndërtimi i resortit vijon pa u ndalur, pavarësisht faktit se punimet kanë nisur pa leje që në mars të vitit 2025.

Në vend që të ndalojë shkeljen flagrante të ligjit, policia ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj qytetarëve, duke vepruar si forcë private sigurie për oligarkun. Nën drejtimin e kamikazit Armand Muçës dhe me urdhër të Ilir Prodes, Policia e Shtetit ka zgjedhur të mbrojë betonin dhe jo pronën private.

Pyetja që shtrohet natyrshëm është:
çfarë e detyron policinë të veprojë kundër qytetarëve dhe në mbrojtje të një ndërtimi të paligjshëm?

Vendimet që zbulojnë mbështetjen qeveritare

Rasti i Rrjollit nuk është i izoluar dhe as i rastësishëm. Sipas dokumenteve zyrtare, mbështetja qeveritare është direkte dhe e firmosur personalisht.

  • Me Vendimin nr. 875, datë 30 dhjetor 2024, Bashkim Ulaj u pajis me statusin “Investitor Strategjik” për rreth 147 hektarë tokë, pjesë e pronave të banorëve të Rrjollit.
  • Leja e ndërtimit u dha më 15 janar 2026, vetëm disa muaj pasi punimet kishin nisur pa asnjë autorizim ligjor.

Pra, ndërtimi u bë fillimisht ilegal, ndërsa ligji u përdor më pas për ta legalizuar faktin e kryer, duke shkelur çdo parim të shtetit të së drejtës.

Një model i përsëritur grabitjeje

Emri i Bashkim Ulajt është bërë sinonim i konflikteve për pronën private në Shqipëri. Nga TEC-i në Roskovec, ndërtimet në Bërxullë (Thumanë–Kashar), deri te HEC-et dhe guroret në Valbonë, Mat, Mirditë, Dibër, Gjirokastër, Librazhd dhe Pogradec, skema është e njëjtë:

  • prona e banorëve vihet në shënjestër
  • protesta qytetare shtypet
  • policia përdoret si instrument presioni
  • ligji përshtatet sipas interesit të investitorit

Asnjë nga këto raste nuk do të ishte e mundur pa garanci politike në nivelet më të larta.

Rrjolli, simbol i shtetit të kapur

Ajo që po ndodh në Rrjoll është më shumë se një konflikt pronësie. Është një demonstrim i hapur i një shteti të kapur, ku pushteti publik vihet në shërbim të oligarkëve dhe kundër qytetarëve.

Banorët e Rrjollit nuk janë kriminelë. Ata janë qytetarë që po mbrojnë pronën e tyre legjitime. Kur policia përdor uniformën për të garantuar grabitjen e pronës private, atëherë rendi publik nuk po ruhet – po shkelet.

Rrjolli sot është një paralajmërim për çdo shqiptar: kur ligji hesht dhe uniforma godet qytetarin, shteti pushon së qeni i yni.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *