Shtohet konflikti në Aeroportin e Vlorës: Behgjet Pacolli denoncon marrjen e duty free dhe shërbimeve nga administratorë të paautorizuar …

Nga Redaksia:

Situata mes aksionerëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka arritur nivele të larta tensioni. Behgjet Pacolli, aksioneri mazhoritar me 98% të kapitalit përmes kompanisë MABCO Construction SA, ka denoncuar publikisht veprime të paautorizuara që po kryhen në aeroport, duke përfshirë marrëveshje për dyqane, bare dhe duty free.

Sipas një njoftimi zyrtar të Mabco, shërbimet dhe kontratat e lidhura nga administratorët e emëruar nga Valon Ademi, aksioneri me vetëm 2% të aksioneve, janë pavlefshme dhe juridikisht inekzistente. Emërimi i administratorit Vegim Hoxha është bërë në mënyrë të njëanshme, pa pjesëmarrjen e aksionerit mazhoritar dhe pa kuorum ligjor, duke shkelur ligjin për shoqëritë tregtare dhe statutin e VIA shpk.

“Çdo kontratë që lidhet aktualisht për ambiente tregtare në Aeroportin e Vlorës dhe nëpërmjet një personi të paautorizuar nga aksionari mazhoritar, ekspozon drejtpërdrejt palët e treta ndaj humbjeve financiare, proceseve gjyqësore dhe anulimit të menjëhershëm të çdo të drejte të pretenduar,” – deklaron Mabco.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendim të 19 dhjetorit 2025, ka kufizuar kompetencat e administratorit të pretenduar, duke ndaluar çdo veprim që prek pasuritë, pagesat dhe të ardhurat e MABCO.

Në këtë situatë, Mabco i bën thirrje autoriteteve shqiptare dhe çdo investitori të mos angazhohet në marrëveshje me persona të paautorizuar, pasi çdo kontratë është e destinuar të rrëzohet dhe mund të ketë pasoja serioze ligjore dhe financiare.

Kompania po ndjek rrugët ligjore për të konfirmuar pavlefshmërinë e vendimit të asamblesë dhe kundër Qendrës Kombëtare të Biznesit për regjistrimin e administratorit të paligjshëm. Mabco paralajmëron se do të ndjekë çdo akt të shkelur pa kompromis, përfshirë kërkesat për dëmshpërblim dhe përgjegjësi personale për dëmet e shkaktuara ndaj projektit strategjik të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Ky konflikt nënvizon rrezikun e krijimit të një realiteti të rremë ligjor dhe pasojat serioze që mund të kenë veprimtaritë e paautorizuara në një nga investimet më strategjike të vendit.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *