Nga Albion Qurti Greid:
Partia Demokratike e Shqipërisë, forca politike që dikur përfaqësonte aspiratën perëndimore, lirinë politike dhe ringritjen kombëtare pas diktaturës, sot po përballet me një krizë shumë më të thellë se ajo elektorale: krizën e identitetit.
Kjo nuk është më thjesht një çështje lidershipi apo strukture organizative. Ajo përfaqëson një humbje të qartë të busullës ideologjike dhe kombëtare.
Në vitet ’90, Partia Demokratike perceptohej si parti e sovranitetit dhe e interesit kombëtar. Ajo fliste me gjuhën e shtetit, të dinjitetit dhe të së ardhmes. Sot, përkundrazi, flet me gjuhën e krizës së brendshme, të fraksioneve dhe të narrativave të huazuara, shpesh pa lidhje me realitetin shqiptar. Një parti politike nuk mbijeton vetëm me opozitarizëm. Ajo mbijeton me ide – me një vizion për kombin, për shtetin, për rolin e Shqipërisë në rajon dhe në botë.
Sot, PD nuk ka një narrativë kombëtare të dallueshme. Nuk ka një qëndrim të qartë mbi interesat strategjike të vendit dhe mbi raportin e Shqipërisë me fuqitë e huaja. Në vend të kësaj, shpesh sillet si një OJQ politike që reagon ndaj deklaratave të ambasadave, në vend që të prodhojë qëndrime nga një platformë shqiptare.
Kjo krijon perceptimin e një partie që nuk e udhëheq diskursin publik, por e ndjek atë. Në një kohë kur pothuajse të gjitha partitë konservatore në Europë po rikthehen tek konceptet e identitetit kombëtar, sovranitetit dhe interesit shtetëror, Partia Demokratike duket se ka frikë të artikulojë vetë fjalën “identitet kombëtar”.
Shqiptarët nuk kërkojnë nacionalizëm folklorik. Ata kërkojnë dinjitet shtetëror: mbrojtje të pasurive kombëtare, të territorit, të emigrantëve, të kulturës dhe të gjuhës. Një e djathtë pa identitet kombëtar nuk është më e djathtë – është thjesht një aparat politik pa shpirt. Kur një parti humb identitetin, humb edhe elektoratin. Votuesit e Partisë Demokratike nuk po largohen sepse janë bërë socialistë, por sepse nuk shohin më një alternativë që përfaqëson interesin shqiptar me seriozitet, forcë dhe vizion. Ata shohin një parti që flet më shumë për veten sesa për vendin.
Rikthimi tek boshti kombëtar Nëse Partia Demokratike dëshiron të mbijetojë si forcë politike e rëndësishme, ajo duhet të rikthehet tek ajo që e bëri dikur të madhe: një vizion i qartë për Shqipërinë, jo thjesht një betejë për karrige. Pa identitet kombëtar, çdo parti është e përkohshme. Me identitet, ajo bëhet histori. Një nga problemet më serioze të diskursit publik sot nuk është mungesa e fjalës, por kontrolli i saj.
Në pamje të parë flitet për pluralizëm, për liri mendimi dhe debat të hapur. Në realitet, imponohet një diskurs i centralizuar, ku vetëm një rrymë mendimi konsiderohet legjitime. Në këtë kontekst, sjellja publike e Alfred Lelës ilustron qartë këtë paradoks. Ai nuk vepron si nxitës i debatit të lirë, por si një roje ideologjike që përcakton çfarë mund të thuhet dhe çfarë duhet të margjinalizohet.
Mendimet që nuk përputhen me kornizën e tij kulturore dhe politike nuk ballafaqohen – delegjitimohet vetë ekzistenca e tyre.
