Nga Etleva Merko:
Në një kohë kur opozita shqiptare ka nevojë për qartësi, guxim dhe qëndresë morale, hapësira publike po mbushet gjithnjë e më shumë nga zëra artificialë, të ushqyer nga interesa të errëta dhe pagesa politike. Ata që shfaqen si “analistë” apo “intelektualë”, por që në thelb shërbejnë si amortizatorë të së vërtetës dhe sulmues të mendimit kritik brenda opozitës, janë bërë pengesë serioze për ringritjen reale të saj.
Ky shkrim është një thirrje e drejtpërdrejtë për t’i dhënë fund hipokrizisë, talljes dhe tymnajës mediatike që synon të poshtërojë demokratët e ndershëm dhe opozitarët e vërtetë.
Postimi i plotë:

Mjaft me “lejlat e oborrit” opozitar
Për “lejlat e oborrit” opozitar, që paguhen për t’u tallur me demokratët dhe opozitarët, duke krijuar tymnajë mediatike të asgjësë: mjaft.
Heshtni dhe mblidhni veten. “Intelektualizmin” tuaj e shohim çdo ditë në gjithçka që promovoni: paçavure, mllef dhe sulme ndaj mendimit ndryshe e kritikës. Nuk ka asgjë intelektuale në shërbimin ndaj interesit të radhës, asgjë morale në goditjen e atyre që kanë mbajtur peshën e opozitarizmit kur ju ishit të fshehur pas komoditetit.
E vërteta nuk ka shoshë që ta mbulojë. Sado të përpiqeni ta deformoni, ta relativizoni apo ta mbytni në zhurmë, ajo del në sipërfaqe dhe ju ekspozon ashtu siç jeni.
Largohuni dhe lërini vendin opozitarëve të vërtetë, atyre që kanë investuar në PD për vite me radhë pa marrë asgjë në këmbim: as privilegje, as pagesa, as pazare. Atyre që kanë qëndruar për bindje, jo për interes.
Të flasin njerëz si ju është turp, sepse nuk i qëndroni as koherencës së shkrimeve tuaja të dikurshme me ato të sotmet. Sot mohoni atë që dje e mbronit, vetëm sepse interesi ua ka ndryshuar gjuhën, qëndrimin dhe fytyrën publike.
Opozita nuk ka nevojë për shërbëtorë të pushtetit të maskuar si kritikë, por për njerëz me shtyllë kurrizore, memorie politike dhe ndershmëri morale.
