OPINION: Edi Rama na tregon Europën, por po na çon drejt gropës …

Në çdo fundjavë, festë apo dalje masive nga Tirana, përsëritet i njëjti skenar: qytetarë të bllokuar, orë të humbura, para të paguara dhe asnjë përgjegjësi shtetërore. Rrugët që propaganda e qeverisë i quan “moderne” janë kthyer në burim fitimi për oligarkët e lidhur me pushtetin, ndërsa shqiptarët paguajnë edhe kur mbeten të ngrirë në borë apo të bllokuar në trafik

Nga Redaksia:

Në çdo dalje publike, Edi Rama flet për Europën. Në çdo konferencë, në çdo propagandë, në çdo slogani qeveritar, Shqipëria paraqitet si një vend që ecën përpara, modernizohet dhe “po bëhet fiks si Europa”. Por realiteti që përjeton çdo qytetar shqiptar sapo futet në makinë është krejt tjetër: një vend i bllokuar, i grabitur dhe i shitur te oligarkët e Rilindjes.

Europa e Ramës nuk ka autostrada funksionale. Ka trarë.
Nuk ka shërbim publik. Ka pagesë private.
Nuk ka shtet. Ka koncesione.

Rrugët publike, prona private e oligarkëve

Në Shqipërinë e Rilindjes, rrugët nuk janë më të qytetarëve. Ato janë kthyer në burim fitimi për një grusht emrash të lidhur drejtpërdrejt me pushtetin. Çdo aks kryesor ka një tra, çdo tra ka një oligark, dhe pas çdo oligarku qëndron qeveria.

Rruga e Kombit, e shitur si vepër strategjike kombëtare, sot funksionon si një tra privat. Ata që nisen për Kukës përballen me ngrica dhe borë, duke mbetur të bllokuar për orë të tëra, pasi më parë kanë paguar rreth 6 600 lekë te trau i Çet Kastratit, nën bekimin politik të Edi Ramës. Pagesa kryhet, por siguria mungon dhe shteti zhduket.

Në drejtimin Lezhë–Shkodër, qytetarët detyrohen të paguajnë 2 500 lekë te trau i Bashkim Ulajt, një nga përfituesit kryesorë të koncesioneve të Rilindjes. I njëjti Ulaj, të cilit Rama dhe Belinda Balluku i bënë “nderin e jetës”, arkëton tarifën, ndërsa qytetarët mbesin 5–6 orë në trafik, pa asnjë shpjegim dhe pa asnjë zgjidhje.

Në jug, rruga drejt Vlorës është simbol i kaosit të përhershëm. Lushnja dhe Fieri shndërrohen në pika bllokimi, ku shqiptarët presin me orë të tëra, duke djegur karburant dhe nerva, ndërsa oligarkët dhe kompanitë e lidhura me qeverinë vazhdojnë të përfitojnë nga kontrata dhe mirëmbajtje fiktive.

Në lindje, ata që nisen për Korçë përballen me pritje 5–6 orëshe në Elbasan, te hinka famëkeqe e Bradasheshit ose në aksin drejt Librazhdit. Një problem i njohur prej vitesh, i paadresuar qëllimisht, sepse trafiku nuk dëmton oligarkët, por vetëm qytetarët.

Në çdo drejtim që të lëvizësh nga Tirana, panorama është e njëjtë:
trarë privatë, oligarkë që arkëtojnë, qeveri që hesht dhe qytetarë që paguajnë.

Këto nuk janë thjesht probleme infrastrukture. Janë pasojë e një modeli qeverisjeje ku rrugët publike janë kthyer në burim pasurimi për një grusht emrash, ndërsa shqiptarëve u shitet propaganda e “Europës”, mes borës, trafikut dhe taksave.

Europa e rreme dhe gropa reale

Edi Rama mund të flasë për Europën sa herë të dojë, por rrugët flasin më fort se fjalët. Ato tregojnë një Shqipëri të bllokuar, të grabitur dhe të keqqeverisur. Një vend ku zhvillimi matet me trarë dhe propaganda me slogane.

Shqiptarëve u shitet një ëndërr europiane, ndërsa në realitet po shtyhen drejt një grope ekonomike, sociale dhe morale.

Sepse në Shqipërinë e Rilindjes, rrugët nuk të çojnë më në destinacion.
Të çojnë te trau i oligarkut.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *