OBSH alarmon për “lloj të ri gripi”, deja-vu që po i kthehet kontinentit
Nga Redaksia:
Sa herë që Europa ngec politikisht, sa herë që luftërat nuk shkojnë sipas planit dhe ekonomitë rrëzohen nën peshën e sanksioneve të gabuara, nga diku del gjithmonë… një virus i ri. Këtë herë jo COVID, por “një lloj i ri dominues gripi”, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
OBSH deklaron se 27 nga 38 vendet europiane po përballen me aktivitet “të lartë ose shumë të lartë” të gripit, duke vënë sistemet shëndetësore “nën presion të rëndë”. Një gjuhë që europianët e kanë dëgjuar shumë herë vitet e fundit. Aq shumë, sa tashmë tingëllon më tepër si njoftim politik sesa shëndetësor.
Në Irlandë, Serbi, Slloveni, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera, mbi 50% e pacientëve me simptoma gripi rezultojnë pozitivë. Statistika që shiten si alarm, por pa asnjë shpjegim të qartë për rrezikshmërinë reale, vdekshmërinë apo ndryshimin konkret nga gripi sezonal që njerëzimi njeh prej dekadash.
Ironia është e qartë:
Europa nuk po ja del dot me Rusinë në fushën politike dhe ushtarake, nuk po ja del me energjinë, inflacionin dhe protestat sociale, por po ja del shumë mirë të rikthejë retorikën e frikës shëndetësore.
Në vend që të flitet për gabimet strategjike, për varfërimin e qytetarëve dhe për dështimin e elitave europiane, vëmendja zhvendoset sërish te “virusi”. Një armë e njohur:
– krijon panik
– justifikon masa
– hesht debatet reale
A është gripi një problem shëndetësor? Po.
A është diçka e re për njerëzimin? Absolutisht jo.
Atëherë pse ky alarm global, kjo gjuhë dramatike dhe kjo kohë “perfekte” politike?
Historia e fundit na ka mësuar një gjë të thjeshtë:
kur frika shitet si shpëtim, dikush gjithmonë fiton pushtet, para ose kontroll.
Europa duket se po hyn sërish në atë cikël të rrezikshëm ku viruset bëhen tituj, ndërsa qytetarët reduktohen në statistika. Dhe pyetja që nuk guxon të bëhet mbetet po ajo e vjetra:
A po përballemi me një problem shëndetësor real…
apo me një skenar të ricikluar për të mbuluar dështimet politike të kontinentit?
