Nga Vettingu në Mbrojtje: Motra që ‘vlerësonte’ drejtësinë, sot mbron pushtetin – A do ta arrestojë SPAK Pamela Qirkon në flagrancë?

Nga Avokat Arben Llangozi:

Dita e sotme në ambientet e SPAK-ut nuk u shënua vetëm nga prania e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e thirrur për t’u marrë në pyetje, por edhe nga një figurë tjetër që ndezi menjëherë debatin publik – motra e saj, Pamela Qirko. Dikur anëtare e institucioneve të Vettingut, një prej strukturave më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, sot ajo u shfaq në një rol krejt të kundërt: avokate mbrojtëse e familjes së pushtetit.

Një kthesë e papritur, por aspak e pafajshme. Brenda 24 orëve, Pamela Qirko regjistron NIPT-in e saj me numrin L52230003R (më 30 tetor 2025), dhe të nesërmen – më 31 tetor – shfaqet në SPAK për të përfaqësuar zëvendëskryeministren. Një “rastësi” që ngjan më shumë me një skenar të përgatitur politik sesa me një vendim profesional spontan.

Në pamje të parë, prania e saj mund të duket si një gjest motëror solidariteti. Por në thelb, ajo ngre një konflikt të hapur ligjor dhe etik. Sipas ligjit shqiptar, ish-anëtarëve të institucioneve të Vettingut u ndalohet të kryejnë çdo veprimtari që krijon konflikt interesi për një periudhë të caktuar pas përfundimit të mandatit. Madje, për një vit pas largimit nga detyra, ata vijojnë të paguhet nga shteti – pikërisht për të shmangur ndikime të tilla.

Nëse Pamela Qirko vazhdon të përfitojë këtë pagesë, ajo nuk ka të drejtë të ushtrojë profesionin e avokates, e aq më pak të përfaqësojë një figurë politike të rangut të lartë, siç është motra e saj nën hetim nga SPAK.

Pra, kemi përballë një tablo që flet vetë: dikur kontrollonte pastërtinë e figurës së gjyqtarëve e prokurorëve, sot kërkon të bindë po ata që të mos prekin motrën e saj.
Kjo pamje groteske është simboli më i qartë i degradimit të Reformës në Drejtësi, e cila nga një mjet pastrimi institucional është kthyer në një instrument mbrojtjeje për njerëzit e pushtetit.

Pyetja që lind natyrshëm është:

A kemi të bëjmë me një përpjekje të koordinuar për të ushtruar presion ndaj SPAK?

Koha e regjistrimit të aktivitetit të saj, përputhja me daljen e Ballukut në hetim dhe statusi i saj i veçantë në sistemin e drejtësisë – nuk janë thjesht “koincidenca”. Janë sinjale të qarta se pushteti po përgatitet të mbrojë veten duke përdorur çdo hallkë të sistemit, madje edhe ish-“vetueset” që dikur garantonin integritetin e tij.

Në çdo shtet normal, një veprim i tillë do të sillte hetim disiplinor dhe penal. Por në Shqipërinë e lidhjeve familjare, ku drejtësia shpesh ulet në gjunjë para politikës, rreziku është që edhe ky rast të mbyllet me heshtje.

SPAK ndodhet sot përballë një prove të madhe.

A do të tregojë se është institucion i pavarur, apo do të bëhet pjesë e këtij zinxhiri mbrojtjeje që po e shkatërron nga brenda besueshmërinë e reformës në drejtësi?

Ligjërisht, Pamela Qirko mund të përballet me akuza të qarta për:

Ushtrim të paligjshëm të profesionit të avokatit,

Konflikt interesi, dhe shkelje të statusit të pasmandatit të funksionarëve të sistemit të drejtësisë.

Në çdo rast, kompetent për hetimin e saj është vetë SPAK, institucioni që sot ndodhet përballë dilemës morale dhe ligjore:
A do të veprojë me të njëjtin standard ligjor ndaj Pamela Qirkos, apo do të mbyllë sytë për hir të lidhjeve të pushtetit?

Nëse drejtësia hesht, atëherë ky do të jetë rasti më i qartë i “vettingut të vetvetes” – ku ata që dikur gjykonin të tjerët, sot mbrojnë njëri-tjetrin.

Ndalohet kopjimi pa lejen e portalit PatriotikMedia.al. Ky material është i mbrojtur sipas ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e lidhura me të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *